Arbëri

Tri faza për t’u kthyer në normalitet pas kalimit të pandemisë, sipas Abrashit

Foto: Enis Imeri / Koha

Nënkryetari dhe deputeti i AAK-së, Gazmend Abrashi, me anë të një postimi në Facebook, ka shpalosur një strategji dalëse nga situata aktuale.

Kthimi në normalitet, sipas Abrashit, duhet planifikuar qartë qysh tash.

“Duhet filluar me udhëzime të qarta për biznese për të organizuar punën nën masat preventive shëndetësore dhe aplikuar distancën sociale si masat kryesore në luftë me pandeminë”, ka thënë ai.

Abrashi ka propozuar që nga 4 maji, faza e parë të nis me kthimin e lirisë së lëvizjes së qytetarëve, hapjen e tregjeve të gjelbra, dyqaneve zejtare, dyqaneve të vogla tregtare, rifillimi i punës të sektorit të ndërtimtarisë, dhe përgatitjet e nevojshme për fillimin e procesit mësimor me prioritet maturantët e transporti urban publik por të kontrolluar.

Ndërsa në fazën e dytë që sipas tij duhet të jetë nga 25 maji ka propozuar të hapjen e sektorit të hotelerisë dhe gastronomisë e hapjen e parqeve. Ndërsa për fazën e tretë që ka propozuar të nis nga 15 qershori ka thënë se do të duhej të hapeshin qendrat tregtare, shkollat për nxënësit e ciklit të mesëm dhe shkollat e mesme e fillimi i aktiviteteve sportive dhe kulturore me kufizime të caktuara. E po ashtu ka paraparë që të hapej edhe aeroporti.