Arbëri

Treni godet veturën në Pejë, lëndohen katër veta

Treni që ishte nisur të mërkurën nga Peja për në Prishtinë, ka goditur një makinë që po kalonte binarët në pjesën ku rruga tranzitore lidhet me rrugën kryesore me katër korsi Pejë-Prishtinë.

Në këtë aksident, që ka ndodhur rreth orës 12.30 në afërsi të doganës, në dalje të qytetit, janë lënduar katër persona.

“Treni i udhëtarëve ka goditur një veturë dhe si pasojë e këtij aksidenti janë lënduar katër persona, të cilët kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar në spitalin e Pejës për trajtim. Kurse, njësia rajonale rrugore për hetimin e aksidenteve është duke hetuar rastin”, tha për KOHËN, zëdhënësi i Policisë në Pejë, Driton Rugova.

Personat e lënduar, që aktualisht janë duke u trajtuar në Spitalin e Pejës, janë jashtë rrezikut për jetë.

“Janë pranuar në spital katër persona të lënduar. Për momentin janë të hospitalizuar dhe janë duke u trajtuar dhe asnjëri prej tyre nuk është në rrezik për jetën”, tregoi gjendjen e të lënduarve, zëdhënësi i Spitalit të Përgjithshëm të Pejës, Naim Sahiti.

Në këtë aksident është e involvuar edhe një makinë tjetër, e cila ishte goditur nga makina e goditur nga treni, në përpjeke që t’i ikë aksidentit.

{gallery}