Është mbyllur afati që bizneset me më pak se 50 punëtorë ose nën 10 milionë euro qarkullim në vit të dëshmojnë në KESCO për të vazhduar me tarifat e rregulluara të energjisë elektrike. E bizneset që do të mbesin jashtë kësaj kanë paqartësi rreth furnizimit
Bizneset me më pak se 50 punëtorë ose nën 10 milionë euro qarkullim në vit, kanë pasur mundësi deri të hënën në mesnatë, që të dëshmojnë këtë për të vazhduar furnizimin nga KESCO me tarifat e rregulluara të energjisë elektrike.
E ato që nuk e plotësojnë këtë kriter, nga 1 qershori do t’iu nënshtrohen rregullave të reja, ku do të zgjedhin vetë furnizuesit dhe do të negociojnë për tarifat me të cilat do të furnizohen.
“KESCO njofton që ka pranuar një numër jashtëzakonisht të lartë të aplikimeve nga bizneset dhe procesi i verifikimit do të marrë kohë. Ndërkohë, nga 1 qershori, të gjitha bizneset që i plotësojnë njërin nga dy parakushtet e cekura më lart do të dalin në treg të hapur dhe duhet ta zgjedhin vetë furnizuesin. Ato do të mund të furnizohen nga KESCO pa tarifa të rregulluara apo nga ndonjë prej operatorëve të licencuar në Kosovë si furnizues”, ka bërë të ditur KESCO.
Dalja në treg të hapur e rreth 1 mijë bizneseve, kryesisht prodhuese, sipas kryetarit të Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës, Arian Zeka, do të krijojë vështirësi te bizneset.
“Kemi një pozitë de fakto monopolistike për aq kohë që 18 furnizuese nuk janë në gjendje të ofrojnë energji elektrike ose të operojnë si duhet krahasuar me njërin prej furnizueseve i cili ka ndoshta aftësinë më të madhe edhe për negociuar edhe për të furnizuar me energji. Bizneset në masë të madhe mendojnë se do të ballafaqohen me tarifa më të larta, e që në fakt efekti i daljes dhe mundësia e gjetjes së furnizueseve në treg të lirë do të duhej të ofronte çmime më të lira”, ka thënë Zeka.
E në një anketë që OEAK e ka bërë me anëtarët e saj, sipas Zekës, rreth 80 për qind e tyre janë deklaruar se liberalizimi do të ketë ndikim negativ në operacionet e bizneseve.
“Mbi 70 për qind e tyre presin që do të humbasin në një shkallë të caktuar aftësinë e tyre konkurruese sidomos kundrejt shteteve tjera të rajonit. Duhet të kemi parasysh se edhe ashtu Kosova është treg i vogël dhe çfarëdo cenimi i përparësisë konkurruese mund t’i bëjë kompanitë më të brishta në raport me konkurrencën që ato ballafaqohen”, ka theksuar ai.
Vendimet e ZRRE-së sipas Zekës janë përcjellë me mangësi, pasi sipas tij, bizneset do të duheshin të paralajmërohen së paku 1 vit më herët që të përgatitën për krijimin e mirëfilltë të tarifave të energjisë, e po ashtu edhe furnizuesit e licencuar të operonin në treg.
“Ky do të jetë problemi më i madh i këtij vendimi për liberalizim”, ka thënë ai.
OEAK-u ka paralajmëruar se dalja në treg të hapur të energjisë, por edhe shtrenjtimi i mundshëm i rrymës do të reflektohet në çmimet finale.
Një gjë e tillë është paralajmëruar ditë më parë edhe nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe komuniteti i biznesit.
Të gjitha palët kanë kërkuar që të ketë shtyrje të afatit për daljen në treg të lirë, pasi, sipas tyre, bizneset janë të papërgatitura mjaftueshëm për të lidhur marrëveshje me furnizues.
Edhe pse në treg janë të licencuara 19 kompani për furnizim me energji, furnizuesi kryesor në vend është KESCO.
KOHA ka raportuar se si Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk ka sqaruar se si do të ndikojë në tarifat e energjisë dalja në treg të hapur e konsumatorëve me mbi 10 milionë euro qarkullim ose me mbi 50 punëtorë.
Ani se ky institucion ka paraparë zbatimin e vendimit për liberalizim nga 1 qershori, në raportet konsultative mbi procesin e shqyrtimit të tarifave, trajtimi i kësaj çështjeje është bërë në mënyrë sipërfaqësore, duke u shpjeguar procedurat, por jo edhe efektet.
Sipas Institutit për Politika Zhvillimore, koha e shpalljes së vendimit nga ZRRE-ja ngre dyshime mbi transparencën dhe qëllimin e këtij hapi, pasi nuk është ofruar asnjë analizë e qartë mbi ndikimin që largimi i këtyre konsumatorëve do të ketë mbi tarifat e konsumatorëve të mbetur.
“Pavarësisht rëndësisë së liberalizimit për konkurrencën dhe zhvillimin e tregut, mënyra se si ky proces është menaxhuar nga ZRrE, me shtyrje dhe paqartësi të vazhdueshme, cenon rëndë besimin e konsumatorëve dhe aftësinë e tregut për t’u përshtatur në mënyrë efektive dhe të qëndrueshme”, thuhet në raportin e INDEP-it.
Po ashtu si shqetësim ishte ngritur edhe çështja e stabilitetit energjetik që do t’iu ofrohet konsumatorëve që dalin në treg të hapur, pasi që sipas njohësve shkaku i fyteve të ngushta në momentin që ndërpritet rryma, ndërpritet për krejt rajonin.