Agjencia Kosovare e Privatizimit i ka paralajmëruar bizneset që gjenden në pjesën e vjetër të Prishtinës se do ta mbyllë tregun e gjelbër për dy ditë në fundgusht, për ta rrënuar pjesën e tezgave të betonit.
Zyrtarët e agjencisë kanë dalë në treg të enjten dhe u kanë thënë tregtarëve se qëllimi është zëvendësimi me tezga metali, si tregojnë këta të fundit. Thonë se nuk janë kundër rregullimit të tregut, porse u duhet ta shfrytëzojnë kohën më fitimprurëse të vitit.
“Na shqetëson rasti se nuk jemi të informuar më herët dhe ky afat kohor për dy ditë të tërhiqen tezgat e betonit dhe të vendosen ato të metalit është afat shumë i shkurtër sepse nuk ka infrastrukturë për t’u vendosur stendat e metalit. Nuk jemi kundër investimeve në treg, kundër rregullimit, përkrahim çdo gjë, çdo hap, mirëpo ky afat kohor dy ditë dhe afati kohor kur e kemi sezonin e punës për ne është i papranueshëm dhe kërkojmë nga kryetari i Komunës, Përparim Rama, që të na mirëkuptojë dhe të shtyhet ky afat kohor deri në fundin e shtatorit ose fundin e tetorit”, thotë tregtari Mehmet Ademi.
Sipas tyre, nuk ka arsye për rrënim të kësaj pjese, kur ka pjesë të tjera të pashftytëzuara nga tregtarët që s’janë rrënuar dhe nuk janë aspak optimistë lidhur me tezgat metalike që ja kanë premtuar.
“Shqetësimi im është sepse punoj me amvisëri dhe nëse vijnë tezgat prej hekurit as nuk ka mbulojë, unë nuk mundem të punoj sepse gjërat e mija nuk mund t’i vendosësh në tezga hekuri. Kanë thënë për t’i hequr tezgat e betonit… Le ta prishin atë pjesën andej, askujt s’i pengon, por gjërat e mija nuk mund t’i vendos në tezgë hekuri sepse dimrit pikojnë të rrokë ‘zhegu’, gjërat prishen janë rosfaj. Unë i kam rregulluar të gjitha vetë dhe të gjitha në marrëveshje me tregun”, thotë tregtari Rexhep Rakovica.
Në Komunën e Prishtinës kanë thënë se AKP-së do t’i ofrojnë ndihmë logjistike, porse përgjigje nuk kanë dhënë me ankesat e tregtarëve. Përgjigje lidhur me to nuk kanë dhënë as AKP-ja. Paralajmërimin për mbyllje të përkohshme të tregut agjencia e ka dhënë për 28 e 29 gusht.