Për shkak të mungesës së një hapësirë të dedikuar për treg javor, rrugët në qendër të Lipjanit, marrin këtë pamje.
Tregtarët, në mungesë të tregut, detyrohen të shesin produkte të ndryshme nëpër trotuare, duke mos lënë hapësirë të mjaftueshme që këmbësorët të lëvizin dhe në këtë mënyrë ata detyrohen të lëvizin në rrugë, raporton KTV.
Qytetarët ankohen se tollovia e krijuar, po u sjell shumë telashe, sidomos atyre me nevoja të veçanta.
Por, tregtarët, të cilët nuk kanë dashur të flasin para kamerës, thonë se janë të detyruar t’i bllokojnë trotuaret dhe rrugët, si pasojë e mungesës së hapësirës së përshtatshme për treg.
Në Komunën e Lipjanit, ndonëse në muajin prill patën premtuar se hapësira e dedikuar për treg të ri në periferi të qytetit do të funksionalizohet brenda javësh, një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende, as pas 4 muajsh.
Tregu i ri është financuar nga Komuna e Lipjanit dhe nga Ministria e Zhvillimit Rajonal, me një kosto prej rreth 300 mijë eurosh.