Me dhënien e fjalës përfundimtare, tre vjet pas ngritjes së aktakuzës, ka përfunduar të enjten në Gjykatën Themelore të Pejës, gjykimi ndaj kryetarit të Komunës së Istogut Haki Rugova.
Ai akuzohet për konflikt interesi, lidhur me një tender në vlerë prej rreth 300 mijë eurosh, të cilin e kishte fituar kompania e vëllait të tij Gani Rugova.
Në fjalën e tij përfundimtare, prokurori i Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Ali Uka, tha se pas administrimit të të gjitha provave është vërtetuar se Rugova duhet shpallur fajtor.
“Vlerësojmë se nënshkrimi i kontratës nga i pandehuri Haki Rugova, i ka mundësuar realizimin e interesit financiar në favor të familjarit të tij. Për çka të njëjtin e konsideroj përgjegjës, duke i propozuar gjykatës, që pas administrimit të bërë të gjitha provave, i pandehuri Haki Rugova të shpallet fajtor për veprën penale konflikt interesi”, ka thënë Uka.
Mirëpo, mbrojtësi i Haki Rugovës, Besnik Berisha, ka konsideruar se ajo kontratë ka qenë e nënshkruar nga menaxherja e zyrës së prokurimit në Komunën e Istogut, Zize Bujupi, dhe si e tillë kontrata ka qenë e zbatueshme pa nënshkrimin e Rugovës.
E nënshkrimi i Rugovës në atë kontratë, i cili sipas avokatit Berisha, ka përfunduar aksidentalisht, nuk ka prodhuar pasojë juridike.
“Që është vu firma s’e kemi mohuar asnjëherë. Nga dita e parë ju kemi thënë se po e ka vu firmën. Por ua kemi sqaruar se ka ardhur një ton dokumente dhe në ato dokumente aksidentalisht është vu firma e tij. Detyrimin që e kishte prokuroria për ta provuar nëse ky nënshkrim kishte efekt juridik, nëse ky nënshkrim ishte i domosdoshëm që kontrata të hynte në fuqi dhe të prodhonte pasoja në këtë rast të mira materiale për familjarin e tij”, ka thënë Berisha.
Sipas Berishës, prokuroria asnjërën nuk e ka provuar nëse nënshkrimi i Rugovës ka krijuar efekt juridik, për këtë ai kërkoi nga trupi gjykues ta rrëzojë aktakuzën ndaj Haki Rugovës dhe ai të shpallet i pafajshëm.
Në fjalën e tij me mbrojtjen është pajtuar edhe kryetari i Istogut, i cili u shpreh i pafajshëm.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të ngritur më 26 mars të vitit 2018, Haki Rugova është akuzuar se duke vepruar si kryetar i Komunës së Istogut, më 1 gusht 2014, ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Ma-Con” sh.p.k. që është pronë e vëllait t tij Gani Rugova, për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë, në vlerë prej mbi 289 mijë euro.