Arbëri

Tre tenderë për gjysmëndërtesën e Emergjencës

Ideja për ndërtimin e një objekti të ri të Emergjencës së Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është diskutuar qysh prej vitit 2010, kur dhe ishte bërë ideimi se sa do të kushtojë dhe si do të dukej projekti.

Që nga ajo kohë kanë kaluar 13 vjet, ndërsa objekti ende nuk është përfunduar.

E ditë më parë, zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë kanë nënshkruar një kontratë në vlerë prej rreth 20 mijë eurosh, të negociuar me një kompani projektuese.

Titulli i tenderit është “Adaptimi i projektit të spitalit Covid-19 në Klinikë Emergjente”.

E në vitin 2020, së njëjtës kompani i ishin paguar 200 mijë euro, por asokohe objekti i dedikuar për Emergjencë duhej të adaptohej në spitalin për pacientë të prekur nga virusi Sars-CoV-2, që e shkaktoi pandeminë COVID-19.

Projektimi ishte bërë, por tenderi për kryerjen e punëve është anuluar pas ndërrimit të qeverive.

Në një përgjigje për KOHËN, Ministria e Shëndetësisë nuk ka dhënë shumë hollësi për pagesat që janë bërë.

“Projekti për adaptimin e projektit të spitalit Covid-19 në Klinikën Emergjente ndërlidhet me Lot 1 të projektimit, nga aktiviteti i vitit 2020 dhe aneks-kontrata aktuale është nën vlerën 10% të vlerës së kontratës bazë. Procedura ka qenë e negociuar, për shkak se projekti dhe dokumentacioni teknik i projektit të spitalit Covid-19 është hartuar në vitin 2020 nga ndërmarrja projektuese ‘Alb Architect’, nga Prishtina”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë. “Në procesin e hartimit të projektit mbi bazën e strukturës ekzistuese të paraplanifikuar për Klinikë të Emergjencës në QKUK, ishte parashikuar që pas kalimit të pandemisë COVID-19, struktura e objektit të adaptohet në Klinikë Emergjente (t’i kthehet destinimit bazik)”.

Me gjithë ekzekutimin e dy pagesave për projektim, objekti nuk është finalizuar.

Rreth 3 vjet më parë, Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar tender për mbikëqyrjen e punëve të ndërtimit. Tenderi i ndërtimit është anuluar, ndërsa Ministria i ka mbetur borxh kompanisë edhe 200 mijë euro.

Deri më tani, krahas qindra mijëra eurove për projektim, Ministria e Shëndetësisë ka paguar edhe miliona euro të tjera për skeletin e objektit, e kompania ndërtuese më vonë është tërhequr.

Vlera totale e objektit, sipas projektit të vitit 2010, ishte rreth 8 milionë euro. E me projektin e vitit 2020, është shumëfishuar kostoja e ndërtimit.

Kjo konfirmohet edhe nga përgjigjja e Ministrisë së Shëndetësisë.

“Buxheti është 16 milionë euro, i paraparë të realizohet për 3 vjet. Në Ligjin e Buxhetit janë paraparë 4.4 milionë euro për këtë vit, në këtë projekt. Vlera është bazuar me riprojektim detaj dhe në çmimet e tregut në vend dhe në rajon. Çmimi është bërë sipas riprojektimit dhe bazuar në parallogari”, thuhet në këtë përgjigje.

Nga kjo vlerë, i bie që objekti i cili në vitin 2015 është planifikuar të përmbyllet me kosto prej 8 milionë eurosh, në vitin 2025 do të finalizohet me së paku 21 milionë euro.

KOHA i ka drejtuar pyetje kompanisë “ALB Architect”, që e ka projektuar këtë objekt dy herë, porse nuk ka marrë përgjigje.