Kanë kaluar më shumë se 5 muaj që kur u sulmua me shufra metalike ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Shërbimit Korrektues Sokol Zogaj, por personat e dyshuar për rrahjen e tij, vazhdojnë të jenë në arrati.
Për këtë mosefikasitet të Policisë dhe Prokurorisë, Zogaj ndihet i rrezikuar, ngase thotë se personat e njëjtë vazhdojnë të jenë të lirë.
Prokuroria Themelore e Prishtinës thotë se ndaj personit me inicialet B.A, i cili u arrestua në Gjermani si i dyshuar për rrahjen e Zogajt, kanë nisur procedurat për ekstradim.
Nuk kanë informacion nëse i njëjti është liruar nga autoritetet gjermane.
“Ndaj personit të arrestuar në Gjermani, i dyshuar për rrahjen e Sokol Zogajt, kanë nisur procedurat për ekstradim. Ne nuk kemi informacion zyrtar nëse i njëjti është liruar nga autoritetet gjermane. Hetimet nga ana e Prokurorisë tashmë kanë përfunduar. Dy personat e tjerë, për të cilët ka urdhërarrest janë në arrati dhe të njëjtin ende nuk janë arrestuar”, ka thënë Imer Beka, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Gjyqtari, Hanefi Jashari, ka lëshuar urdhërarrest për tre personat e dyshuar për rrahjen e Zogajt.
Por, Sokol Zogaj shprehet i pakënaqur me punën e Policisë dhe Prokurorisë, ndonëse ende shpreson se ky rast do të marrë epilog.
Disa ditë pas rrahjes së Zogajt, Policia e Kosovës kishte bastisur shtëpitë e të dyshuarve, por që të njëjtit nuk kishte arritur t’i arrestonte.
Në gusht të vitit të kaluar, ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës u rrah para banesës së tij me shufra metalike, duke i shkaktuar plagë në kokë, për çka edhe kishte marrë tretman mjekësor në QKUK.