Arbëri

Tre njerëz që e këshilluan Thaçin i morën me vete veturat zyrtare

Tre këshilltarë të ish-presidentit Hashim Thaçi e kanë lëshuar Presidencën njëmbëdhjetë ditë më parë, por veturat e saj i kanë marrë me vete. Dy nga ta i kanë dorëzuar tek hënën, pasi KOHA ka kërkuar arsyet për tolerimin e kësaj situate, e njëri këtë s’e ka bërë ende.

Këshilltarët që i kanë marrë veturat me vete janë: Rrustem Mustafa, Ismail Syla dhe Blerim Shala.

Mustafa ka refuzuar t’i tregojë arsyet e mosdorëzimit me kohë të veturës. Por thotë se atë do ta ofrojë pas dy ditësh.

“Nuk jam në Kosovë. Të mërkurën vetura shkon në vend”, ka thënë ai, nëpërmjet një komunikimi të shkruar. “Para pak minutash fola në Presidencë dhe i njoftova”.

Në shkurt të vitit të kaluar presidenti Thaçi e kishte emëruar këshilltar Mustafën. Kjo pozitë i ka përfunduar më 5 nëntor, kur Thaçi u dorëhoq nga pozita e kreut të shtetit, pasi Gjykata Speciale e publikoi aktakuzën, sipas së cilës është i dyshuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Edhe vetë Mustafa është intervistuar nga Haga, pak kohë përpara se të bëhej këshilltar. Por, deri tash nuk ka pasur ndonjë informatë nëse është ngritur aktakuzë kundër tij, apo nëse kanë pushuar hetimet.

Ndonëse Mustafa ka lënë zyrën, ai vazhdon ta mbajë në shfrytëzim një “Peugeot 508”, të cilën Presidenca e ka me qira.

Një veturë të njëjtë e ka pasur në shfrytëzim deri të hënën edhe Ismail Syla, i cili prej shumë vjetësh e ka këshilluar Thaçin dhe është një prej bashkëpunëtorëve më të afërt të tij.

Ai ka thënë ta ketë mbajtur meqë nuk ia kishte kërkuar ndokush më herët.

“Sapo e morën veturën. Sot e kërkuan. Sot e dorëzova”, ka thënë shkurt Syla. “Është dorëzuar me aq naftë sa ka qenë. Jam aq përgjegjës”.

Një veturë të një marke tjetër dhe e cila është në pronësi të Presidencës e ka pasur në shfrytëzim edhe Blerim Shala, publicisti që në vitet e fundit e ka këshilluar Thaçin. Ndryshe nga kolegët e tij, Shala ka thënë se vetura i është lejuar me vendim, meqë në ditët e fundit ka qenë i prekur me COVID-19, bashkë me të ëmën që i ka ndërruar jetë.

Zotimi që ka dhënë është se gjatë ditës do ta kthejë në Presidencë.

Por, në institucionin që përfaqëson kreun e shtetit nuk kanë treguar arsyet pse deri në këtë kohë veturat u janë lënë në shfrytëzim njerëzve që e këshillonin Thaçin sa ka qenë president. Gjatë ditës në këtë institucion nuk u janë përgjigjur një numri pyetjesh të KOHËS.

Ilir Thaçi, shef i transportit në Presidencë, ka theksuar të mos ketë pasur arsye që t’ua kërkonte veturat ish-këshilltarëve, meqë thotë të jetë e vetëkuptueshme që ato duhej të mos merreshin me vete.

“Kur dorëzohet zyra, dorëzohet edhe vetura. Pra, nuk do të duhej të bëhej kërkesë”, ka thënë Thaçi. “Ne i thirrëm sot këta që nuk i kanë dorëzuar. Ismail Syla e dorëzoi dhe ka paralajmëruar ta dorëzojë edhe Blerim Shala, ndërsa Rrustem Mustafa më vonë”.

Ai ka treguar se Mustafa e Syla i shfrytëzonin veturat e tipit “Peugeot 508”, për të cilat Presidenca paguan qira. Ndërkaq Shala e kishte një veturë të markës “Land Rover”.

Presidenca dha sqarim pas publikimit të stories

“Menjëherë pas marrjes së detyrës se u.d të Presidentes së Kosovës, Faton Peci, shef i stafit të u.d. Presidentes, Vjosa Osmani ka kërkuar që të gjitha asetet në pronësi të Presidencës të rikthehen. Deri më tash shumica e veturave janë rikthyer, me përjashtim të dy prej tyre. Kemi kërkuar që edhe ato të kthehen urgjentisht, ngase janë pronë publike”, ka thënë Bekim Kupina, këshilltar për media i u.d. të Presidentes Osmani.