“Ka ikur koha e njerëzve partiakë, ndërmarrjet publike do të menaxhohen nga profesionistë”.
Ishin këto fjalët e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, në fillim të mandatit të tij, gjatë kohës kur kompletoi kabinetin e tij qeverisës.
Muaj më pas, filluan edhe shkarkimet nga detyra të disa kryeshefave të ndërmarrjeve publike të cilët u përkisnin partive të tjera politike.
Prishtina ka disa javë që tashmë ka filluar zëvendësimin e tyre me emërues të rinj. E emrat e tyre lidhen ngushtë me LDK-në.
Fisnik Osmani në “Termokos”, Sokol Havolli në “Prishtina Parking” e Bardh Krasniqi në “Marketing”.
Kryetari Përparim Rama, në këtë rast, tha se duhet të shikohen rezymetë e tyre dhe jo partitë politike.
“Puna e zgjidhjes së kryeshefave ka qenë transparente. Ne e kemi ftuar edhe Ambasadën britanike të na ndihmojë gjatë procesit, i cili ka qenë transparent. Unë kam thënë dhe them se duhet t’i shohim rezymetë, CV-të dhe jo partitë politike, pra i kam ftuar të gjithë qytetarët e Prishtinës edhe jashtë që të aplikojnë. Edhe le të fitojë më i mirë”, tha Rama.
Sipas tij, në të dy rastet, si në konkursin e “Termokosit” dhe të “Prishtina Parkingut”, Osmani dhe Havolli kanë qenë më të mirët.
“Në rastin e Termokosit ka fituar më i miri, dhe jam i kënaqur me vendimin. E njëjta gjë edhe në Prishtina Parking, nëse i shikoni aplikuesit e shihni se më i mirë ka fituar. Nuk më intereson se çfarë partie janë”, tha Rama.
Por nga opozita e Komunës së Prishtinës thonë se në këtë mënyrë po vazhdon kapja e ndërmarrjeve publike nga LDK-ja.
Shefi i grupit të asamblistëve të Vetëvendosjes, Gëzim Sveçla, thotë se ka mbi një muaj që ka përmendur se Sokol Havolli pritet të bëhet kryeshef në “Prishtina Parking”.
“Për kapje të ndërmarrjeve kanë qenë të njohur vazhdimisht por kësaj radhe po ndodh me një vrazhdësi të paparë, as nuk po mundohen t’i kamuflojnë këto veprime. Ndodhi një muaj më parë, kur një asamblist i LDK-së u emërua kryeshef në “Termokos”. Ndodhi edhe në Prishtina Parking, kur një zyrtar i lartë i LDK-së, ish-këshilltar i ish-kryeministrit, Isa Mustafa, pra ndodhi ajo që e kemi pritë, që është ditë në kryeqytet se kush janë kryeshefat e radhës”, tha Sveçla.
Sipas tij, LDK-ja po bën edhe punësime të militantëve të vet.
“Po ndodh një dukuri e keqe dhe në kundërshtim me arë që ka deklaruar kryetari Përparim Rama, se nuk do të ketë njerëz partiak në ndërmarrje publike. Faktikisht asnjëherë nuk kemi pasur më shumë njerëz partiak në krye të ndërmarrjeve. Po ndodh të kemi edhe punësime të ndryshme të militantëve dhe përkrahësve të LDK-së dhe po bëhet në bazë të konsulencave dhe kontratave të ndryshme. Zakonisht po qëllon që fitues të jenë persona të afërt të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, tha Sveçla.
I kontaktuar nga KOHA për akuzat e VV-së, ditë më parë, Havolli ka thënë se “nuk merret me çështje të politikës”.
Fisnik Osmani, i cili u zgjodh kryeshef në “Termokos”, ishte asamblist në Kuvendin Komunal gjatë kësaj legjislature.
Sokol Havolli ka qenë, po ashtu, këshilltar komunal në kohën kur komuna qeverisej nga Shpend Ahmeti. Ai së fundmi ka lënë punën në Bankën Qendrore për pozitën në ndërmarrjen e parkingjeve.
Basketbollisti Bardh Krasniqi ka qenë kandidat për asamble dhe është ndër personat e afërt me kryetarin Përparim Rama.