Arbëri

Tre krerë dhi ngordhin në Gjilan u merren mostrat e gjakut për analizë

Një fermeri në fshatin Cernincë të komunës së Gjilanit i kanë ngordhur tre krerë dhi gjersa ishin duke kullotur.

Për këtë rast janë njoftuar institucionet të cilët kanë marrë nga kafshët mostrat e gjakut për analizë. Veterinarët dyshojnë se këto kafshë kanë ngordhur ngase kanë ngrënë një lloj bari i cili ka qenë helmues.

Kompania “Fauna” në Gjilan kanë qenë të angazhuar në këtë rast dhe ata i kanë deklaruar Kohës se edhe në të kaluarën kanë pasur raste të ngjashme kur kafshët kanë ngrënë ndonjë bari toksik i cili ka shkaktuar ngordhjen e tyre.

“Në atë rast kemi qenë dje me kërkesë të policisë dhe pronarit dhe vet kur kemi arrit kafshët kanë qenë të ngordhura. Dhia është njëra prej specieve të kafshëve e cila ha gjësende të ndryshme dhe dyshojmë se ka ngrënë diçka toksike. Ato munden të helmohen edhe nga bari sepse kemi barishte që janë toksike dhe ato kanë mundur me i ngrënë dhe ka ardhur deri tek ngordhja. Pronari na ka deklaruar se ato kanë qenë duke kullotur dhe më pas kanë ngordhur. Ka pasur raste të ngordhjeve të tilla” thuhet në përgjigjen e kësaj kompanie.

Ndërsa drejtori i bujqësisë në Gjilan, Ramiz Ramadani, deklaron se do të presin rezultatet ngase janë marrë mostrat për analizë të cilat do të tregojnë se nga çfarë kanë ngordhur ato.

“Rasti është i një fermeri në fshatin Cernicë dhe ka qenë veterinari së bashku me policinë dhe është e vërtetë se ato janë të helmuara mirëpo për momentin nuk mundemi me konstatu se për çfarë helmimi kemi të bëjmë fjalë. Mirëpo dhitë nuk seleksionojnë se çfarë hanë dhe është e mundur që të kenë ngrënë ndonjë bari të egër dhe më pas kanë ngordhur” ka thënë ai.

Ndërsa policia është duke hetuar rastin.

“Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se ka lëshuar bagëtinë (dhitë) për të kullotur, pore ndërkohë tri dhi duke kullotur i kishin ngordhë. Ankuesi rastin e ka lajmëruar tek zyrtarët e veterinarisë cilët nga kafshët kanë marr mostrat e gjakut për analiza. Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori” thuhet në raportin e policisë.