Tiranë, 23 mars - Tre kandidatët e propozuara nga pala shqiptare për pozicionin e gjyqtarit të ri të Shqipërisë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut(GJEDNJ), në Strasburg kanë kaluar provën e parë të panelit këshillues të ekspertëve, pasi janë gjykuar që plotësojnë kriteret e Këshillit të Evropës (KiE).
Sipas një raportimi të Top Channel, kandidatët Aleksandër Muskaj, Aurela Anastasi dhe Sokol Berberi do të intervistohen në Paris më 6 prill nga komiteti përzgjedhës, i përbërë nga 22 deputetë nga vendet anëtarë të KiE-së, i kryesuar nga deputeti socialist letonez Boriss Cilevis.
Asambleja Parlamentare e KiE-së, e përbërë nga 324 parlamentarë, do të votojë më 25 prill me votim të fshehtë për gjykatësin e ri që do të përfaqësojë vendin tone në Strasburg, deri në vitin 2026. Ai do te zëvendësojë gjykatësin Ledio Bianku, për një mandat 9-vjeçar në këtë Gjykatë.
Zgjedhja në raundin e parë bëhet me shumicën absolute të anëtarëve të Asamblesë dhe nëse asnjë nga tre kandidatët nuk arrin të shpallet fitues do të zhvillohet raundi i dytë me 26 prill, mes dy kandidatëve më të votuar.
Më herët Gjykata e Strasburgut ka refuzuar tre emrat e paraqitur nga Shqipëria, mes tyre edhe ish-kryeprokuroren Ina Rama dhe juristin Gent Ibrahimi.