Shoqata e Transportit Rrugor e Udhëtarëve në Gjykatën Themelore të Prishtinës e ka dorëzuar padinë ndaj Ministrisë së Infrastrukturës për ta anuluar vendimin që disa kategori shoqërore të paguajnë 50 për qind më pak për bileta të autobusit.
Ruzhdi Kurtishaj, kryetar i kësaj shoqate, ka thënë se janë të detyruar ta marrin këtë hap, pasi thotë se bizneset dëmtohen shumë nga ky vendim i ekzekutivit.
“Personalisht më vjen keq që sot në emër të Shoqatës ne duhet të flasim këtu para Gjykatës për një vendim të Qeverisë që realisht i dëmton bizneset”, ka thënë Kurtishaj.
Ndërsa, një nga operatorët, Jakup Berisha, ka thënë se do t’u shkruajnë ambasadorëve të vendeve të QUINT-it, pasi, sipas tij, po cenohet ekonomia e tregut.
“Ne sot, as një minutë më vonë do t’u shkruajmë ambasadave të QUINT-it sesi politika ndërhyn në tregun e lirë, duke tentuar t’i dirigjojë çmimet”, tha ai.
Kurtishaj ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve për këtë veprim.
Më 11 mars, Ministria e Infrastrukturës ka lëshuar çmimore të reja ku studentët, fëmijët, invalidët e luftës dhe ata të punës, si dhe pensionistët të paguajnë biletën 50 për qind më lirë sesa çmimi aktual, ndërkaq fëmijët nën 6 vjeç të mos paguajnë fare.
Për këtë, të dielën operatorët e autobusëve u mblodhën në një mbledhje urgjente ku i dhanë ultimatum 72-orësh zv.ministrit, Hysen Durmishi, që ta anulojë vendimin.
Në të kundërtën, kanë paralajmëruar protesta, të cilat thonë se deri tash i kanë pezulluar.