Arbëri

Trajtimi i pacientëve jashtë vendit dhe degradimi i lumenjve, probleme që kërkojnë zgjidhje nga Qeveria

qkuk

Foto - Ilustrim

Foto: Driton Paçarada

Organizatat joqeveritare të mbështetura nga NDI Kosova të premten kanë prezantuar dy raporte mbi dobësitë e Kosovës në shëndetësi dhe mjedis. Problemi kryesor i identifikuar në shëndetësi ka të bëjë me mënyrën e menaxhimit të Programit për Trajtim Jashtë Institucioneve Publike, e në fushën e mjedisit degradimi i lumenjve. Prezentë në konferencë ishin edhe zyrtarë të Qeverisë, të cilët premtuan adresimin e gjetjeve

Reforma në organizimin e spitaleve publike do të mundësonte në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore që ofrohen në Kosovë dhe në uljen e shpenzimeve për trajtimet e pacientëve jashtë vendit, ka thënë Arben Vitia, ministër i Shëndetësisë. Vitia këtë qëndrim e ka shprehur në konferencën e organizatave të shoqërisë civile të mbështetur nga NDI më titull “Të kuptojmë dobësitë e Kosovës në shëndetësi dhe mjedis”. Ai ka përmendur pikat më të dobëta të shëndetësisë në të cilat, sipas tij, duhet të intervenohet.

“Kemi vendosur që në Bordin e SHSKUK së paku çdo tre muaj të kemi një mbledhje, sepse mendoj që investimet strategjike të bëhen në koordinim edhe me Bordin e Fondit për Sigurime Shëndetësore. Secila rrugë ka sfida dhe ne e kemi bërë një Udhëzim Administrativ dhe natyrisht sfida e parë do të jetë implementimi i duhur i këtij udhëzimi”, ka deklaruar Vitia.

Në konferencë janë prezantuar edhe gjetjet e hulumtimit nga anëtarët e shoqërisë civile.

Një nga hulumtueset pjesëmarrëse në këtë raport, Saranda Ramaj, ka thënë se Programi për Trajtim Jashtë Vendit duhet të nisë një fazë të re të funksionimit.

“Çështje urgjente është barazimi i borxheve me institucione spitalore, sidomos ato të Turqisë, sepse borxhi kryesor është me spitalet private atje. Dihet që deri më tani Qeveria e Kosovës nuk ka ndarë një buxhet të veçantë për të shlyer borxhet prej 32 milionë eurove, andaj është e padrejtë që Fondi të ngarkohet me këtë, por duhet të ketë vendim të Qeverisë që pas barazimeve të shlyhen të gjitha borxhet”, ka thënë Ramaj.

Përfaqësuesit e organizatave të tjera prezantuan të dhëna që tregojnë se si është e rregulluar kjo çështje në vendet e rajonit dhe si duhet të menaxhohet financimi i shëndetësisë publike.

Pjesa e dytë e konferencës i është kushtuar degradimit të ambientit.

Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka folur për mungesën e databazave për ujërat.

“Neve në sistem na vijnë ujëra më të pastra sesa ujëra të papastra. Ne kemi menduar se është e pamundur të vazhdojmë të krijojmë politika të trajtimeve të ndryshme mjedisore pa krijuar databaza. Së pari duhen të dhëna se nuk mund të krijosh politika”, është shprehur Zogiani.

Ndërkaq si problemi kryesor në çështjen e ambientit nga koalicioni i OJQ-ve janë identifikuar ndotja dhe nxjerrja e zhavorrit nga lumenjtë.

“Ne kemi filluar me Drinin e Bardhë në Radavc, ku buron ujë shumë i pastër, por që ashtu vazhdon 30 metra. Fatkeqësisht ndotet nga kanalizimet dhe nga banorët”, ka deklaruar Behar Mustafa nga BIRN.

Hapjen e kësaj konference e bëri ambasadorja Nancy Soderberg, drejtoreshë e lartë rezidente e NDI-së në Kosovë, e cila tha se është shumë me rëndësi që të gjitha institucionet të punojnë për përmirësimin e shërbimeve për qytetarët. Pjesëmarrëse ishte edhe kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Fatmire Mulhaxha, e cila tha se në Kuvend janë duke u trajtuar këto problematika.