Arbëri

Tragjedia në minierën e Artanës: Varrosen dy minatorët, komision hetimor për aksidentin

Pavarësisht pasurive të shumta nëntokësore që ka Miniera e Artanës, me vite të tëra është lënë pas dore nga autoritetet përgjegjëse. Drejtues të Minierës thonë se qe një kohë të gjatë nuk është investuar në të, duke i lënë punëtorët me kushte minimale për punë.

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të ndërmarrjes "Trepça", Hysen Vrajolli, ka thënë se shpreson që së paku tani do të fillojnë investimet edhe në këtë minierë.

Në këtë minierë punojnë më shumë se 150 minatorë, raporton KOHA.

E Miniera e Artanës gjatë të mërkurës nuk ka punuar për shkak se të martën këtu humbën jetën dy minatorë si pasojë e rrëshqitjes së dheut. Përderisa aksioni për nxjerrjen e trupave të pajetë ka zgjatur deri në orët e para të mëngjesit të së mërkurës.

Haki Arifi e Idriz Gërbeshi, të cilët prej vitesh ishin pjesë e stafit në këtë minierë, janë varrosur të mërkurën.

Ndërkohë Inspektorati i Minierave ka formuar një komision, i cili do të bëjë vlerësimin e vendit të ngjarjes dhe do të dalë me raport për shkaqet e këtij aksidenti.

Pavarësisht se vlerësohej si zona më e sigurt e minierës, punëtorët kanë vdekur në horizontin e pestë, rreth orës 10:00 të mëngjesit të së martës. Pos dy të vdekurve, edhe disa të tjerë ishin lënduar.

Në përkrahje të minatorëve, në mbledhjen e 3 qershorit, Qeveria miratoi kërkesën për ndihmë financiare në vlerë prej 60,000.00 eurosh. Me nga 30 mijë euro do të ndihmohen familjarët e punëtorëve të vdekur.

Këto mjete do të merren nga nënprogrami Shpenzimet e Paparashikuara, te Kategoria e Shpenzimeve, Rezervat dhe transferohen në Kategorinë e Shpenzimeve, Subvencione dhe Transfere.