Komuna e Prishtinës planifikon të rrisë kapacitetin e autobusëve urbanë për 30 sosh më shumë, nga viti i ardhshëm.
Marrëveshja e re e Komunës së Prishtinës që pritet të nënshkruhet me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), parasheh që numri i autobusëve urbanë të rritet nga 51 sa janë aktualisht në 81.
Nënkryetari i kësaj komune, Alban Zogaj, ka thënë për KOHËN se fillimisht do të ketë proces prokurimi e më pas edhe do të blihen autobusët e rinj, ku gjashtë prej tyre do të jenë elektrikë dhe të tjerët me naftë.
“Do të kemi proces prokurimi dhe pastaj blejmë autobusë të rinj, ku gjashtë prej tyre do të jenë elektrikë, kurse 24 dizell. Do të shtohet numri i autobusëve, pra janë të rinj dhe Trafiku Urban do të ketë 81 autobusë në total (nga 51 sa ka tash)”, ka thënë ai.
Sipas Zogajt, do të ketë edhe linja të reja, riorganizimi i të cilave do të bëhet me ndihmën e BERZH-it.
Kontrata për shtimin e numrit të autobusëve lokalë do të mundësohet përmes kredisë e cila ka vlerën prej 10 milionë euro.
Sipas Zogajt, marrëveshja do të nënshkruhet këtë vit, ndërsa nga viti i ardhshëm autobusët do të arrijnë në Prishtinë.
“Me EBRD po negociojmë kredinë e re, në vlerë prej mbi 10 mil EUR, për blerjen e autobusëve të rinj! Marrëveshja nënshkruhet këtë vit. Autobusët do t'i kemi në Prishtinë vitin e ardhshëm”, ka njoftuar Zogaj të hënën.
Prishtina ka funksionalizuar autobusët e rinj më 17 shkurt të vitit 2017.
Me kredinë që kishte garantuar Qeveria, kjo komunë është pajisur me 51 autobusë për trafikun urban.