Shumë data e premtime janë dhënë për arritjen e autobusëve të rinj. Nuk erdhën as gjatë mandatit të Shpend Ahmetit e as gjatë këtij mandati të Përparim Ramës.
30 autobusët blerja e të cilëve është shndërruar në histori të gjatë, nuk janë ende askund.
E nevoja për ta është shumë e madhe.
Megjithëse prioritet i Ramës ishte transporti publik, qytetarët ankohen për tollovi të mëdha gjatë udhëtimit me autobusë.
“Duhet të organizohet pakëz... sidomos në tërmetet kur ka më shumë njerëz. Pa marrë parasysh linjën. Nuk po mundesh as me hy në autobusë. Është jo në rregull”, ka thënë një qytetar. “E lus kryetarin ta organizojë këtë”.
“Shumë për të dëshiruar. Këtë transport që e kemi, e kemi paksa të padisiplinuar”.
Zyrtarë të “Trafikut Urban” thonë se procesi i blerjes së autobusëve të rinj është duke u realizuar dhe aktualisht aplikimet për këtë proces janë të hapura deri më 16 prill 2025.
Në përgjigjen e këtij institucioni, jepet një afat i ri kohor se kur do të arrijë kontingjenti i fundit i autobusëve të rinj.
“Dëshirojmë t'ju informojmë se procesi i blerjes së autobusëve po realizohet përmes procedurave të hapura të prokurimit në platformën e BERZH-it (Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim). Aktualisht, aplikimet për këtë proces janë të hapura deri më 16 prill 2025. Pas këtij afati do të bëhet përzgjedhja e operatorit që do t’i furnizojë autobusët. Pasi të përfundojë procesi i përzgjedhjes dhe të lidhet kontrata me operatorin e zgjedhur, operatorët ekonomikë do të kenë një periudhë për
prodhimin dhe dërgimin e autobusëve. Sipas planifikimeve tona, autobusët pritet të arrijnë dhe të jenë në operim gjatë gjysmës së dytë të vitit 2025”, thuhet në përgjigje.
Me futjen e autobusëve të rinj në qarkullim, do të jetë e nevojshme të riorganizohen linjat.
Komuna e Prishtinës nga janari ka deklaruar se është duke punuar në këtë drejtim.
“Këtë muaj jemi duke punuar me gjendjen faktike që është në terren. Përmes bankës botërore është një ekip që po punon paralel me riorganizimin e linjave të reja. Këto na kanë marrë kohë për shkak se të dhënat janë marrë nga bashkësitë lokale dhe kërkesat e nevojat e tyre. Derisa ata të bëjnë dorëzimin e të dhënave te ne, ne do të vazhdojmë me operimin e linjave ekzistuese, shkaku se kontratat janë nënshkruar vitin e kaluar për të mos humbur kohë dhe përderisa të bëhet riorganizimi i linjave, pak a shumë edhe operatorët e qytetarët t’i njoftojmë për mënyrën dhe formën e shfrytëzimit”, ka thënë Enver Kadriu nga Drejtoria e Shërbimeve Publike.
Jemi në përfundim të muajit të tretë të këtij viti dhe një gjë e tillë ende nuk është realizuar.