Arbëri

Totaj siguron asamblistët se s’ka marrëveshje të fshehta për zhbllokimin e rrugës transitore

Disa anëtarë të Kuvendit të Prizrenit kanë kërkuar sqarime nga Ekzekutivi komunal lidhur me marrëveshjen që ka mundësuar zhbllokimin e rrugës transitore. Kryetari Shaqir Totaj ka siguruar se për këtë çështje është ndjekur rruga ligjore dhe se nuk ka pasur marrëveshje të fshehta. Ndërkohë, shumica e asamblistëve e kanë vlerësuar hapjen e kësaj rruge

Zhbllokimi i rrugës te transiti i ri në Prizren, sipas drejtuesve të komunës është realizuar me procedura ligjore dhe pa ndonjë marrëveshje të fshehtë. Ky sqarim është dhënë nga kryetari Shaqir Totaj, të hënën, në seancën e Kuvendit të Komunës, pas dilemave të shprehura lidhur me këtë çështje nga disa asamblistë.

Haziz Hodaj nga LDK-ja ka vlerësuar zhbllokimin e rrugës, por njëherësh ka kërkuar shpjegime rreth mënyrës së evitimit të problemeve, duke qenë se kryetari kohë më parë ishte kërcënuar nga pronari i shtëpisë.

“Cila është marrëveshja finale? A është marrëveshja institucionale, të cilën e ka aplikuar komuna me vlerësimin që është bërë nga komisionet përkatëse, apo ka edhe ndonjë marrëveshje tjetër që ne nuk e dimë edhe është evidente?”, ka theksuar Hodaj.

Asamblistë të tjerë kanë përgëzuar ekzekutivin dhe pronarët e shtëpisë për marrëveshjen, përkatësisht zhbllokimin e rrugës.

“Do të thotë është liruar ajo dhe besoj shumë shpejtë do të rregullohet. Ju përgëzoj edhe juve edhe familjen, me të cilën keni gjetur marrëveshje”, ka deklaruar Shukri Quni, asamblist i Nismës.

Ndërsa ilir Gashi asamblist i LVV-së ka theksuar se shpreson që do të jetë një projekt që do t’i shërbejë gjithë komunitetit, por edhe jashtë tij, siç ka thënë ai, duke e çliruar trafikun në qytet.

Kryetari Shaqir Totaj ka pohuar se zhbllokimi i kësaj rruge është rezultat i punës kolektive e ligjore dhe se nuk pasur asnjë marrëveshje të fshehtë.

“Dua t'ju informoj ju dhe opinionin publik që marrëveshje të fshehta nuk mund të ketë, se pikërisht fakti që s'ka marrëveshje të fshehta ka mundësuar që kjo rrugë të debllokohet”, ka deklaruar Totaj.

Komuna e Prizrenit gjatë qeverisjes së Ramadan Mujës, pati investuar në ndërtimin e rrugës së re transitore që lidh magjistralen Prishtinë-Gjakovë. Projekti nuk pati përfunduar, shkaku i mospërmbylljes së shpronësimit. Por dhjetë ditë më parë, Komuna njoftoi se në bashkëpunim me familjen dhe pronarët, është rrënuar shtëpia dhe se kjo rrugë do ta mundësojë shkarkimin e trafikut në qytet.