Histori zvarritjesh mund të cilësohen proceset gjyqësore të top-aktakuzave për korrupsion. Rasti i njohur si “Toka”, ai “Stenta” e “Vizat” janë në gjykatë të paktën tash e pesë vjet. Asnjëri proces gjyqësor te këto raste ende nuk ka përfunduar as në shkallë të parë. Historia pesëvjeçare e zvarritjeve në të tria rastet është ndërrim prokurorësh, ndërrim nga disa herë i trupave gjykues, përderisa procesi gjyqësor ecën me ritëm shumë të ngadaltë
“Toka”, “Stenta”, “Hidrocentralet”, “Vizat”, janë emra rastesh të hetimeve të korrupsionit që kanë përfunduar në aktakuza në gjykatë.
Ndonëse me emra të ndryshëm të të akuzuarish e veprime të ndryshme kriminale që të akuzuarit pretendohet që i kanë ndërmarrë, këto raste takohen në një pikë: krejt janë trajtuar në mënyrë joserioze nga hetuesia e gjykata.
Të gjitha janë raste ku veprimet kriminale dyshohet se janë kryer tash e dhjetë vjet, e në të gjitha rastet nuk ka ende as aktgjykime të shkallës së parë.
Mangësi në aktakuza, hetime të vonuara, gjyqtarë e prokurorë të shumtë që kanë kaluar në këto lëndë dhe i kanë lënë në gjysmë, parashkrim i veprimeve e dështime të panumërta seancash, është historia e këtyre gjykimeve të cilat numerikisht hyjnë tek statistikat e rasteve të suksesshme të hetimit të korrupsionit të profilit të lartë.
Në këto katër raste, për gjysmë dekade prej kur kanë filluar gjykimet kanë vdekur një gjyqtar i rasti, dy të akuzuar, dy avokatë. Asnjëri rast nuk ka marrë epilog.
Rezistenca e “Tokës”
Dy prokurorë e pesë trupa gjykues janë ndërruar për hetimin e gjykimin e ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla, së bashku me një grup që Prokuroria Speciale i konsideron grup të organizuar kriminal.
Kryetar i trupit gjykues ishte fillimisht Arçadius Sedeck.
Procesi gjyqësor është tentuar të fillonte qysh në vitit 2017. Gjyqtari Sedeck në seancën e dytë nuk u paraqit me përbërje të plotë të trupit gjykues.
Me 8 janar të vitit 2018, në seancë doli para palëve vetëm me një anëtar të trupit gjykues, gjykatësin tjetër të EULEX-it, Petko Petkov. Anëtarja tjetër e trupit gjykues ishte gjyqtarja Nora Bllaca-Dula.
Pak kohë pasi u caktua në këtë trup gjykues, ajo ishte avancuar në Gjykatën e Apelit.
Në janarin e vitit 2018 sërish ishte tentuar që të fillonte shqyrtimi gjyqësor.
Njësoj ishte ndërruar në trupin gjykues. Kësaj radhe para palëve, monitoruesve e gazetarëve që po e përcillnin këtë rast si kryetar i trupit gjykues nuk u paraqit më gjykatësi Arcadius Sedeck, por gjyqtari Petko Petkov, që fillimisht ishte menduar të jetë anëtar i trupit gjykues.
Petkov në krahun e majtë të tij kishte gjykatësin vendës Vesel Ismajli, ndërsa në krahun e tij të djathë kishte gjykatësin tjetër të EULEX-it, Vladimir Mikula, që aktualisht është gjyqtar i Gjykatës Speciale.
Pas kësaj seance kishte planifikime për dhjetëra seanca, por të cilat nuk u mbajtën për shkak të mungesave ose të akuzuarve, ose të avokatëve.
E tentativë tjetër për fillimin e këtij gjykimi kishte në janarin e vitit 2019.
Kësaj radhe kryetar i trupit gjykues ishte gjyqtari Beqir Kalludra.
Me Kalludrën në krye të këtij gjykimi arritën të mbahen disa seanca.
Por një vit pas sërish ishte ndërruar trupi gjykues. Bashkë me Kalludrën, pjesë e trupit gjykues ishte edhe gjyqtari Shashivar Hoti, i cili ka vdekur vitin e kaluar.
Kalludra u avancua në gjyqtar të Gjykatës se Apelit e përgjegjësinë për këtë gjykim e mori Shpresa Hasaj-Hyseni, gjyqtare në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Kjo gjyqtare nuk arriti të mbante asnjë seancë të suksesshme. Sërish trupi gjykues ka ndërruar.
Gjykata Themelore në Prishtinë gjatë javës ka konfirmuar se kjo lëndë tashmë i ka kaluar një tjetër gjyqtari. Gjyqtari kryesor në këtë rast është në dorë të gjykatësit të Departamentit Special, Arben Hoti
E pavarësisht lëvizjeve përpara në procedurë, ky gjykim është dashur të fillonte rishtazi sa herë janë ndërruar gjyqtarët.
Kjo, pasi neni 311, paragrafi 3 i Kodit të Procedurës Penale përcakton: “Kur shtyrja ka zgjatur më shumë se tre (3) muaj ose kur shqyrtimi gjyqësor mbahet para një kryetari tjetër të trupit gjykues, shqyrtimi gjyqësor duhet të fillojë rishtas dhe përsëri të shqyrtohen të gjitha provat”.
Duke u bazuar në Kodin e Procedurës Penale, të gjitha dëshmitë e dëshmitarëve, të akuzuarve dhe provave të tjera që janë shqyrtuar nga gjykatësi paraprak duhet që të shqyrtohen edhe një herë nga fillimi nga kryetari i ri i trupit gjykues, Arben Hoti.
Kanë kaluar gati gjashtë vjet prej kur pati ndodhur aksioni i EULEX-it për arrestimin e Sylës.
Prej ngritjes së kësaj aktakuze kanë kaluar mbi pesë vjet apo saktësisht 1832 ditë. E gjykimi ndaj Sylës nuk është as afër të përfundojë. As në shkallën e parë.
Bashkë me Sylën akuzohet edhe Shaban Syla, Ilaz Syla, Mexhid Syla, Arton Vila, Fahredin Gashi, Shpresim Uka, Nuhi Uka, Shqipe Maxhuni, Edvard Gashi, Sabedin Haxhiu, Ramadan Uka, Avdyrrhaman Brajshori, Lubisha Vujoviq, Gazmend Gashi, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi, Ramadan Mavraj, Mustafë Haliti dhe Hajrullah Berisha.
Aktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizim i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.
Brenda 24 muajve është arritur të mbahen vetëm dy seanca.
“Stenta” pa diagnozë
Gati gjashtë vjet prej kur është ngritur aktakuza janë bërë edhe për rastin e njohur si afera “Stenta”.
Më 21 tetor të vitit 2016 është mbajtur seanca e parë. Dhjetëra të akuzuar për pazarin me zemër janë nën hetime tesh e rreth një dekadë.
Deri më tani katër prokurorë janë ndërruar me lëndën “Stenta”. Hetimet deri në ngritjen e aktakuzës i kishte zhvilluar prokurori Besim Kelmendi. Prokurori tjetër që kishte marrë në përfaqësim këtë rast ishte prokurori Agron Bajrami e me pas prokurori Enver Krasniqi. Aktualisht prokurore e rastit është prokurorja speciale Florije Shamolli.
Janë shumë të rralla rastet – siç ka ndodhur në këtë rast – kur prokurori i shtetit që e ka përpiluar aktakuzën as nuk e përfaqëson dhe as nuk e mbron atë. Aktakuza është dorëzuar në muajin qershor 2016, por leximi i saj nuk ishte bërë për një kohë të gjatë, meqë prokuroria nuk i kishte dorëzuar provat për të gjithë të pandehurit në gjuhën që ata e kuptojnë. Kjo kishte rezultuar me pesë seanca të shtyra.
KOHA pati zbuluar se përkundër që Prokuroria e Shtetit këtë aktakuzë e cilësonte si me të madhen nga paslufta, kishte keqpërdorime me tenderin për përkthimin e dosjes, e cila duhej t’u dorëzohej të akuzuarve.
Kryetarja e trupit gjykues, Shadije Gërguri, për qëllim të efikasitetit të çështjes, e kishte veçuar procedurën në tri pjesë. Që nga ajo kohë Ferid Agani dhe Gani Shabani gjykohen veçmas si një rast (Stenta 1). Gani Bajraktari dhe të akuzuarit e tjerë, kryesisht mjekë, që bëjnë pjesë në dispozitivat tre dhe katër të aktakuzës, janë duke u gjykuar veçmas (Stenta 2), kurse, Ali Hocaoglu dhe të akuzuarit e tjerë që përfshihen te dispozitivi 4 deri në dispozitivin 10 të aktakuzës do të gjykohen veçmas (Stenta 3).
Kjo lëndë pati marr epilog në shkallë të parë.
Ministri i atëhershëm, Ferid Agani, e sekretari i atëhershëm i Ministrisë, Gani Shabani, u patën dënuar me burgim në kohëzgjatje prej disa vjetësh.
Por ndryshe pati mëndur Gjykata e Apelit. Pati konstatuar shkelje të shumta nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë me rastin e gjykimit të rastit të njohur si “Stenta”.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, dhe ish-sekretari i MSh-së, Gani Shabani, pritet të rigjykohen për korrupsion.
Kjo, pasi që Gjykata e Apelit e ka kthyer këtë proces gjyqësor në rigjykim. Ka identifikuar rreth 15 shkelje të kryera nga trupi gjykues i Gjykatës Themelore në Prishtinë, për mënyrën se si i ka gjykuar dhe dënuar Aganin dhe Shabanin.
Nga aktvendimi i Apelit del se gjyqtarët e Gjykatës Themelore në Prishtinë kanë bërë edhe shkelje elementare të shumë dispozitave. Në aktvendimin prej 30 faqesh të siguruar nga “Koha Ditore” shpjegohen në mënyrë të detajuar shkeljet e gjyqtarëve për këtë rast.
Aty thuhet se gjykata e shkallës së dytë nuk e ka të qartë se si trupi gjykues i Gjykatës së Prishtinës ka bërë vlerësimin e ligjshmërisë së marrëveshjeve të MSh-së me spitalet private, për ofrimin e shërbimeve që nuk ofroheshin në sistemin publik.
Përderisa janë bërë gjashtë vjet prej kur është ngritur aktakuza, shumë gjëra kanë ndodhur në raport me palët.
Dy kardiologë të akuzuar, Bedri Zaiti e Sami Gjoka, kanë vdekur. E kanë vdekur edhe dy avokatë që përfaqësonin palët: Bajram Tmava e Nikë Shala.
Përderisa ende nuk ka aktgjykim për asnjërën pjesë, një pjesë e veprave penale tashmë janë parashkruar.
Kallëzimi penal në rastin “Stenta” është ngritur më 26 maj 2014, kurse aktvendimi për fillimin e hetimeve më 16 qershor 2014. Aktakuza është ngritur më 14 qershor 2016.
Shqyrtimi fillestar në rastin “Stenta” ishte caktuar më 21 tetor 2016. Një vit pasi ishte ngritur aktakuza, kryetarja e trupit gjykues pati sqaruar se Prokuroria me shkresë të veçantë ka njoftuar gjykatën se Afrim Bekteshi kishte qenë i përfshirë në hetimet për këtë rast, por ndaj tij nuk ishin gjetur elemente të veprës penale dhe i njëjti nuk ishte pjesë e aktakuzës, ani pse emri i figuronte tek të akuzuarit. Ishte arsyetuar se emri i tij ishte përfshirë në atë dokument si pasojë e një “gabimi teknik”.
Agani e Shabani ishin pjesë të gjykimit në rastin “Stenta 1”. Në pjesën “Stenta 2” janë të përfshirë mbi 40 mjekë të sistemit publik që akuzohen për referime të jashtëligjshme në dy spitale private në këmbim të 500 euro pagesë për çdo pacient që stentohet si pasojë e këtyre referimeve. Në pjesën “Stenta 3” janë të përfshirë menaxherët e dy spitaleve private që kanë përfituar rreth 4.5 milionë euro nga MSh-ja për një periudhë rreth trevjeçare. Këto spitale janë Spitali IMH dhe Spitali EDA.
“Hidrocentralet” një vit e gjysmë afat
Tetë vjet janë bërë prej se dyshohet se ka ndodhur kontrabandimi i katër hidrocentraleve bashkë me privatizimin e rrjetit të shpërndarjes së KEK-ut.
Hetimet kanë zgjatur më shumë se katër vjet. Aktakuza është ngritur tash e më shumë se një vit e gjysmë e gjykimi është krejt në fillim. Sipas analizës së KOHËS, ky gjykim nëse nuk arrin të përfundojë brenda një viti e gjysmë e gjithë lënda pritet të parashkruhet.
Neglizhenca e Prokurorisë se Shtetit për nxjerrjen me kohë të vendimit për hetim, para se të skadonte afati, ka shpëtuar 13 persona nga ndjekja penale.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 4 mars ka marrë vendim që t’i aprovojë ankesat e një pjese të të akuzuarve kundër aktakuzës.
Për 13 zyrtarët e akuzuar nga Prokuroria Speciale gjyqtari Valon Kurtaj ka vendosur që t’i pushojë hetimet.
Vepra penale e korrupsionit me kodin e vjetër ka qenë e dënueshme deri në pesë vjet. Aktvendimi për hetimin e këtyre zyrtarëve është zgjeruar duke kaluar në më shumë se shtatë vjet.
Sipas Kodit të Procedurës Penale për veprat që dënohen pesë vjet, aktvendimi për fillimin e hetimit duhet të nisë deri në ditën që bëhen pesë vjet nga kryerja e veprës penale.
Nëse një gjë e tillë nuk ndodh deri në ditën kur bëhen pesë vjet, çdo hetim konsiderohet i jashtëligjshëm – pasi që arrihet parashkrimi relativ, siç ka ndodhur edhe në këtë rast.
Gjykimi do të vazhdojë për gjashtë ish-zyrtarë të lartë të shtetit. Gjykata përmes këtij vendimi ka konsideruar së janë përmbushur kushtet që të gjykohen për korrupsion ish-ministrat Mimoza Kusari-Lila, Besim Beqaj, Nenad Rashiq, Dardan Gashi dhe ish-zyrtarët e KEK-ut, Arben Gjuka e Fllanza Hoxha.
Hidrocentralet të cilat dyshohet se i janë falur konsorciumit turk janë ai i Radavcit dhe i Lumbardhit, hidrocentrali në Burim dhe ai në Dikancë.
Dëmi i shkaktuar dyshohet të jetë më shumë se 12 milionë euro.
Gjyqësori nuk ka shumë kohë që ta përfundojë këtë rast me aktgjykim të formës së prerë. Në të dy shkallët për këtë rast do të duhej të vendosej deri në majin e vitit 2023. Në rast se një gjë e tillë nuk ndodh, atëherë edhe për të akuzuarit e mbetur rrezikohet që lënda të vdesë juridikisht për shkak të parashkrimit absolut.
Për rrezikun e parashkrimit të një pjese të këtij rasti, siç edhe ka ndodhur, “Koha Ditore” kishte raportuar disa herë, por një mundësi të tillë e pati kundërshtuar Prokuroria Speciale. Një hulumtim i gazetës kishte gjetur se bashkë me Distribucionin dhe Furnizimin, në vitin 2012 ishin privatizuar edhe katër hidrocentrale të vogla.
Për këtë rast, të akuzuar janë Besim Beqaj që në atë kohë ishte si kryesues i Komitetit Qeveritar për Privatizim, Mimoza Kusari-Lila, Nenad Rashiq, Dardan Gashi dhe Lorik Fejzullahu.
“Vizat” pa vizë gjykate
Më 17 maj 2016, ishte ngritur aktakuza në aferën e njohur si “Vizat”, ku
Kryeprotagonist është Ukë Rugova, djali i ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Të paktën 4 herë edhe në këtë rast është ndërruar trupi gjykues.
Fillimisht kryetar i trupit gjykues ishte gjyqtari i EULEX-it, Victor Partal, i cili drejtonte gjykimin kundër Ukë Rugovës dhe 19 të akuzuarve të tjerë për dhënien e paligjshme të vizave italiane Schengen në këmbim të pagesës për to.
Në vend të Partalit këtë proces gjyqësor e pati marrë gjyqtari tjetër i Misionit Evropian për Sundim të Ligjit, Vladimir Micula.
Micula nuk e udhëhoqi shumë këtë rast, e kryetare e trupit gjykues me vonë u bë gjyqtarja Naime Krasniqi-Jashanica. Mirëpo gjykatësja Krasniqi-Jashanica praktikisht nuk zhvilloi shumë seanca për shkak të situatës së krijuar nga pandemia globale COVID-19.
Me vonë, për shkak se kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, kishte kaluar nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Departamentin e Përgjithshëm, kishte dështuar të mbahej edhe gjykimi i paraparë për 7 shtator 2020 ndaj ish-deputetit Ukë Rugova, ish-ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija, dhe tre të akuzuarve të tjerë.
Pas kalimit të gjykatëses Krasniqi-Jashanica në Departament të Përgjithshëm, për këtë rast ishte caktuar gjykatësja Fatime Dermaku, e cila ishte caktuar në Departamentin e Krimeve të Rënda.
Në rastet kur ndërrohet gjyqtari, proceset kthehen në fillim.
Gjykimi ende është në proces. E për të njëjtin rast një proces gjyqësor është zhvilluar në Itali.
Më 27 shtator, Gjykata Penale e Romës i ka liruar ish-ambasadorin italian në Kosovë, Michael Giffoni, ish-konsullin Habib Faëzi dhe ish-bashkëpunëtorin konsullor Florian Petani nga të gjitha akuzat për veprat penale krim i organizuar dhe kontrabandim me imigrantë.
Gjykimi ndaj tyre filloi në vitin 2016 dhe ndërlidhet drejtpërdrejt me rastin e vizave në Ambasadën italiane në Prishtinë.
Zvarritja e proceseve gjyqësore është e metë e Kosovës e identifikuar edhe në Raportin e Progresit.
Nga zvarritja e proceseve gjyqësore shumë të akuzuar i shpëtojnë dënimit për shkak të vjetërsimit të rastit.