Nënkryetarja e Komunës së Zveçanit, Natasha Tomaniq, i ka bërë fajtorë Listën Serbe dhe Brigadën e Veriut për djegien e lokalit të saj. Tomaniq ka thënë se arsyeja e djegies së lokalit të saj është bërë për shkak të pozitës së saj si nënkryetare e Zveçanit. E kryeministri, Albin Kurti, djegien e lokalit të nënkryetares së Zveçanit e ka quajtur akt terrorist e kriminal dhe ka thënë se përgjigjja ndaj akteve të tilla dhe personave përgjegjës është sundimi i ligjit dhe shteti i së drejtës
Nënkryetarja e Komunës së Zveçanit, Natasha Tomaniq, i ka bërë fajtore Listën Serbe dhe Brigadën e Veriut për djegien e lokalit të saj me veshmbathje pas mesnatës të së enjtes.
Ajo ka theksuar se është e turpshme kur sulmet e tilla ndaj serbëve ndodhin nga vetë serbët.
“Mbrëmë rreth orës 12:30 më kanë lajmëruar komshinjtë që lokali është duke u djegur. E mora çelësin dhe dola poshtë në pizhame e papuçe për të parë se çka është duke ndodhur. Fillimisht, të gjitha dritaret kanë qenë në rregull, vetëm një vrimë e vogël në këtë dritaren që po shihet ka qenë e hapur, prej ku edhe është gjuajt koktej molotovi dhe zjarri ka qenë aq i fortë sa për 2 minuta e ka përfshirë tërë lokalin. Zjarri ka qenë mes të lokalit që do të thotë ka qenë e pamundur që zjarr të mund të vijë nga rryma ose arsye tjetër. Është e qëllimshme që lokali është djegur”, është shprehur Tomaniq.
Ajo ka thënë se sulmi ka ndodhur për shkakun se e mban pozitën e zëvendëskryetares së Komunës së Zveçanit.
“Unë u kam ndihmuar shumë njerëzve që të punësohen, u kam ndihmuar edhe me ndihma të tjera në kuadër të Komunës së Zveçanit. Arsyeja kryesore që më është djegur lokali është se u kam ndihmuar serbëve të Kosovës të punësohen në Komunën e Zveçanit dhe serbëve nuk u konvenon që serbët të punësohen në institucionet e Kosovës. Dyshimet e mia janë te Brigada e Veriut dhe Lista Serbe, se e treta nuk ekziston”, ka thënë ajo. “Kjo është marre për ata serbë, të cilët na i bëjnë këto gjëra neve serbëve dhe mendojnë se ne nuk duhet të punojmë në institucionet e Kosovës, sepse janë mësuar që të punojnë vetëm në kushte të dhunës dhe në kushte të kërcënimeve e gjithashtu po e potencoj se absolutisht nuk frikësohem. Isha frikësuar po të më dilnin përballë edhe me më kërcënua, por jo kështu të fshehur mbas shpine”.
Lidhur me rastin ka reaguar të premten kryeministri, Albin Kurti, i cili djegien e lokalit të nënkryetares së Zveçanit e ka quajtur akt terrorist dhe kriminal.
“Pikërisht më 8 Mars, elemente kriminale në Zveçan zgjodhën e rizgjodhën dhunën, terrorin dhe sulmin, kësaj radhe ndaj pronës private, dyqanit të nënkryetares së Komunës së Zveçanit, znj. Natasha Tomaniq. Ky duket të jetë ‘urimi’ i tyre për 8 Mars për nënkryetaren Tomaniq dhe për të gjithë serbët që duan integrimin në Kosovë, çlirimin nga struktura kriminale që kërcënojnë dhe pavarësimin nga Beogradi zyrtar që i shantazhin”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ai ka shprehur pritjen që ambasadorët e vendeve të Quintit dhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) do ta “dënojnë ashpër këtë akt kriminal, terrorist e qyqar”. E përgjigjja ndaj akteve të tilla dhe ndaj personave përgjegjës, ai ka thënë se është sundimi i ligjit dhe i shtetit të së drejtës.
Ndaj rastit ka reaguar edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi. Ai në një postim në Facebook e ka dënuar aktin e ndërmarrë nga “grupet kriminale” në Zveçan.
“Grupet kriminale në Zveçan vazhdojnë me sulme dhe terror, kësaj radhe cak i tyre ishte dyqani privat i nënkryetares së Komunës së Zveçanit, znj. Natasha Tomaniq. Si institucione shtetërore e dënojmë këtë akt dhe ju ofrojmë mbështetje qytetarëve nga komuniteti serb në luftën tonë të përbashkët kundër grupeve kriminale”, ka shkruar ai.
Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë në Rajonin e Veriut, ka thënë se hetuesit janë duke punuar në zbardhjen e rastit.
“Policia e Kosovës është informuar se mbrëmë rreth orës 12:30 minuta, domethënë 30 minuta pas mesnate, ka ndodhur një zjarr në qendër të Zveçanit, ku një lokal është dëmtuar. Menjëherë kemi reaguar në vendin e ngjarjes bashkë me zjarrfikës. Dëme të konsiderueshme materiale ka në atë vend, mirëpo nuk ka të lënduar. Ne momentalisht jemi duke punuar në drejtim të ndriçimit të rastit dhe nuk kemi persona të arrestuar”, ka deklaruar Elshani.
E Tomaniq ka theksuar në lokalin e saj ka pasur veshmbathje të markave të kushtueshme.
“Pak a shumë ka qenë një lokal i përzier, pjesa dërrmuese ka qenë veshmbathje origjinale, ka pasur edhe kozmetikë, ka pasur edhe higjienë, etj. Sa i përket lokalit nuk mund të rregullohet, tash duhet të rrënohet dhe të ndërrohet i ri se nuk mund të ndreqet. Sa i përket mallit që ka qenë brenda, minimumi 10 mijë euro, ndërsa edhe pjesa tjetër, siç po shihet, diku 20-30 mijë euro që të kthehet në gjendje funksionale”, ka thënë ajo.
Raste të ngjashme të djegies së pronave dhe veturave të serbëve që janë luajalë ndaj shtetit të Kosovës kanë ndodhur edhe më parë në katër komunat e veriut të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.