Arbëri

Tollovi para sporteleve në Komunën e Pejës, qytetarët nuk i respektojnë masat anti-COVID

Para sportelit për shërbime kadastrale në Komunën e Pejës këto ditë vihen re grumbullime të qytetarëve të cilët nuk po i respektojnë masat kundër pandemisë. Tollovinë thonë qytetarët, që nuk pranuan të identifikohen, e kanë shkaktuar kërkesat e shumta për grante e subvencione në bujqësi.

Drejtor i Bujqësisë, Mehdi Mulaj, ka thënë se ndonëse ende nuk është shpallur konkursi për aplikim për grante, të interesuarit po i nxjerrin qysh tash dokumentet pasi ato kanë afat gjashtë muaj.

Në sportel kryesisht qytetarët aplikonin për fletë poseduese dhe kopje të planit të pronës. Drejtori për Administratë dhe Personel, Rexhep Kurtbogaj, ka thënë se për të shmangur tollovinë dhe pritjet është menduar që sportelet e ofiqarisë të përdoren për këtë shërbim, por ai nuk dinte arsyen se pse nuk është zbatuar kjo praktikë. Tash, thekson ai, është një alternativë e dhënies së këtyre dy dokumenteve nëpërmjet aparatit digjital para Komunës.

“Jemi në bisedime me Agjencinë Kadastrale të Kosovës që ta gjejmë mundësinë që ta lëshojmë fletën poseduese dhe kopjen e planit në formë elektronike në E-kiosk. Kjo kishte me shmangur fluksin në kohë të pandemisë për respektimin e masave me distancë”, thotë Rexhbogaj.

Komuna e Pejës kishte planifikuar që ta funksionalizonte E-kioskun që gjendet para objektit të Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër, i cili që katër vjet është i prishur.

Në gusht të vitit 2016, në bashkëfinancim të Komunës së Pejës dhe USAID-it amerikan, për nxjerrjen e dokumenteve të ofiqarisë ishin vendosur një E-kioskë para objektit të Administratës Komunale dhe një tjetër te Qendra për Regjistrimin Civil. Ky i fundit pas një kohe të shkurtër ka dalë jashtë funksionit dhe atë Komuna pastaj e kishte vendosur te Drejtoria e Kadastrës, që pasi të riparohet të ofrojë edhe shërbime për nxjerrjen e dokumenteve kadastrale. E-kioska nuk ishte riparuar fare dhe nuk punon prej që është vendosur aty.

“Kemi planifikuar që ketë vit ta funksionalizojmë E-kioskën para Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër. Brenda këtij viti do të rregullohet edhe E-kioska para kadastrës vetëm për shërbime të kadastrës”, premton Rexhbogaj.

Megjithëse kjo E-kioskë ka qenë jashtë përdorimi, në E-kioskën që gjendet para objektit të Administratës Komunale ishte mundësuar nga vitin 2019 që të nxirrej fleta posedues e pronës, por jo edhe kopja e planit të pronës. Por këtë shërbim nuk e kanë shfrytëzuar palët për shkak se iu duhej të prisnin edhe para E-kioskës për nxjerrjen e fletës poseduese e pastaj serish të presin para sportelit për marrjen e kopjes së planit të pronës.

“Agjencia Kadastrale është dashtë të zhvillojë diçka në programin e tyre të softuerit, që përveç fletës poseduese në E-kioskë me mund me dhënë dhe kopjen e planit. Kryetari i Komunës kishte shprehur gatishmëri të paguajë nga arka e Komunës për zhvillimin e programit dhe lëshimin e dy dokumenteve në E-kioskë, por ata në agjenci na kanë thënë se shkaku i pandemisë kanë ngecur në disa çështje dhe nuk mund të na japin një datë të saktë kur mund të ofrohet ky shërbim”, thotë Labinot Dezdari, shef i Zyrës së Teknologjisë Informative të Komunës.

E meqenëse nuk kanë mundur të nxirren të dy dokumentet në E-kioskë, Dizdari thotë se Komuna nuk e ka parë të arsyeshme as ta riparojmë E-kioskën e prishur.

Agjencia e Shoqërisë së Informacionit, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka planifikuar të digjitalizojë të gjitha shërbimet që i ofrojnë komunat, ministritë dhe institucionet e tjera shtetërore. Dizdari tha se kur të lëshohet në funksion, qytetari hyn një herë në këtë platformë, regjistrohet dhe pastaj mund të nxjerrë përmes kompjuterit, celularit... të gjitha dokumentet që lëshojnë institucionet shtetërore, përfshirë edhe ato komunale, pra edhe fletën poseduese e kopjen e planit.

“Me përjashtim të disa dokumenteve specifike për të cilat qytetari duhet me qenë patjetër i pranishëm në sportel kur e merr. Se kur lëshohet në funksion kjo platformë nuk e di, por besoj që lëshohet së shpejti. E pasi të lëshohet në shërbim ky program, do të dalin në masë të madhe nga përdorimi E-kioskat, të cilat mund të vazhdojnë të përdoren nga qytetarët që nuk kanë pajisje për qasje në këtë shërbim përmes internetit apo nuk kanë mjete në xhirollogari, pasi edhe pagesat për shërbime në këtë platformë bëhen përmes internetit”, thotë Dizdari.