Arbëri

Tollovi e madhe në ditën e parë të Prishtinës në karantinë

Asnjë qytetar që nuk është banor i Prishtinës nuk është lejuar të futet në kryeqytet nga Policia e Kosovës këtë të diel.

Qysh në orët e para të mëngjesit ekipet e policisë u vendosën në çdo hyrje-dalje të Prishtinës, pasi me shtimin e rasteve të reja me COVID-19, kryeqyteti u fut në karantinë, transmeton KOHA.

E masa e re shkaktoi tollovi e kolona të gjata në hyrje të Prishtinës nga Fushë-Kosova.

Qytetarët që deshën të ktheheshin ose të largoheshin nga kryeqyteti e patën mundësinë vetëm deri në orën 17:00.

Tri lokacione, një kompleks banesor dhe dy shtëpi po mbikëqyren 24 orë nga Policia.

“Ditëve në vijim do të ashpërsohen masat”, ka paralajmëruar kryetari Shpend Ahmeti.

Banorët e shohin të duhur vendimin për futje në karantinë, por thonë se mungon vetëdijesimi te qytetarët.

Nga 25 kontaktet e personit të infektuar ditë më herët, 20 janë testuar pozitivë brenda 24 orëve në Prishtinë, e të cilët aktualisht nuk kanë simptoma dhe gjendja e tyre po monitorohet.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Tregtisë, profesionistët shëndetësorë, sektori i sigurisë, shërbimet publike dhe mediat janë disa nga kategoritë që mund të lëvizin brenda dhe jashtë Prishtinës gjatë kohës sa zgjat karantina.