Arbëri

Tolaj: Kosova e ka përmbyllur pandeminë në formën që ka qenë, tani do përballemi me pasojat

Infektologu Ilir Tolaj ka thënë se Kosova e ka përmbyllur pandeminë COVID-19 në formën siç ka qenë, por sipas tij, tani është koha të përballemi me pasojat që ka shkaktuar ajo tash e dy vjet.

“Asnjëherë nuk do të shohim pamjet që kanë qenë më herët gjatë pandemisë. Popullata e Kosovës ka krijuar imunitet për vaksinim. Mund të them se Kosova e ka përmbyllur pandeminë në formën që ka qenë, por tani është koha që të përballemi me pasojat e pandemisë në shumë aspekte”, ka thënë Tolaj në RTK.

Tolaj thotë se pasojat e COVID-19 varen nga imuniteti i individëve. 

“Varet prej individëve si do t’i kenë pasojat. Po ashtu varet edhe nga interaksioni i organizmit të individit, varet nga mediatorët që lirohen në organizëm. Ka edhe probleme të tjera, si lodhja, kollitja”, ka thënë Tolaj.

Në Kosovë, rasti i parë me COVID-19 u konfirmua në mars të vitit 2020. Që atëherë, janë regjistruar 228.117 raste pozitive. 3.138 persona kanë humbur betejën me këtë virus.

Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.826.580 doza të vaksinës. Deri më sot, 822.166 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë. Janë dhënë 101.781 doza përforcuese dhe doza të treta të vaksinës anti-COVID.