Arbëri

Toka e “privatizuar” me aktvendim të 2003-s, fut në borxh Rektoratin

Tre biznesmenë që më 2021 kanë blerë një parcelë ku gjendet Fakulteti Teknik, nga një pronar të cilit më 2003 i ishte bartur prona publike me aktvendim të Gjykatës së atëhershme komunale të Prishtinës, kanë trokitur në dyert e Rektoratit për të kërkuar kompensimin për qira. Ata nuk kanë kalkuluar vetëm për tre vjet borxhin që e pretendojnë, por edhe për dhjetë vjetët para se ta blinin tokën. As Gjykata Themelore e Prishtinës e as Arkivi nuk kanë dhënë informata mbi aktvendimet rreth pronësisë, ndërsa në Zyrën e Kadastrit kanë dhënë historikun e pronës e cila sipas kësaj zyre deri me 1999 ka qenë në pronësi të komunës

Mbi dy milionë euro ia kërkojnë Rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” tre biznesmenë të cilët pretendojnë se UP-ja ua ka shfrytëzuar pronën qe 13 vjet. Bëhet fjalë për tokën ku është objekti i laboratorëve të fakulteteve teknike në lagjen “Bregu i Diellit”, për pronësinë e së cilës Zyra Kadastrale në Prishtinë ka thënë se para luftës ka qenë komunale, ndërsa pas luftës me vendime te Gjykatës Komunale ajo ka kaluar në pronësi private. Ndërsa më 2021, pronësia i është ndërruar përmes shitblerjes, duke dalë në emër të biznesmenëve Betim e Kujtim Selmanaj dhe Shpejtim Kuçi. Këta të tre insistojnë që kompensimi për qira duhet t’u bëhet për periudhën sa ka qenë edhe e pronarit paraprak.

Në letrën zyrtare që i kanë dërguar në prill të këtij viti në Rektoratit, ata kanë kërkuar që të arrihet një marrëveshje për kompensim të shfrytëzimit të një pjese të objektit të ndërtuar në vitet ‘80, e cila ndodhet në parcelën e tyre që kap sipërfaqe prej mbi 6 mijë metrash katrorë.

Sipas Zyrës Kadestrale në Prishtinë, parcela është blerë nga biznesmenët para tre vjetësh. Sipas historikut të pronësisë mbi këtë tokë që posedon Zyra Kadastrale, parcela ka qenë pronë e Komunës deri më 1999.

“1.Parcela kadastrale me nr.2725-1 Zk.Prishtinë para vitit 1999, në programin e quajtur Bormën (Sistem softuerik ku paraqiten të dhënat e pronave të paluajtshme v.j.), në të dhënat që disponon Drejtoria për Kadastër në Prishtinë, parcela ka qenë ne emër të Komunës së Prishtinës. Këto të dhëna janë vetëm nga sistemi elektronik, ndërsa të dhëna të tjera para vitit 1999 (para luftës) nuk kemi për arsye se ato gjenden në Serbi”, është thënë në përgjigjen e Kadastrit, ku pastaj në mënyrë kronologjike shpjegojnë se si ka lëvizur pronësia mbi të.

“2.Në vitin 2003 parcela kadastrale nr.2725-1 ka kaluar në emër të A.S sipas Aktgjykimit lëshuar nga Gjykata Komunale Prishtinë viti 1998; 3.Në vitin 2003 parcela kadastrale nr.2725-1 ka kaluar në emër të E.K sipas Aktvendimit lëshuar nga Gjykata Komunale në Prishtinë viti 2003; 4.Në vitin 2021 parcela kadastrale nr.2725-1 ka kaluar në emër të B.S dhe K.S me ½ sipas Kontratës së shitblerjës të Noterizuar dt.10.11.2020; 5. Në vitin 2021 parcela kadastrale nr.2725-1 një pjesë e pronës kalon ne emër të Sh.K, kështu që në bashkëpronësi mbesin B.S., K.S dhe Sh.K, sipas Kontratës për shitblerje noterizuar dt.26.10.2021”, thuhet në përgjigje.

KOHA ka tentuar për më shumë se dy muaj të ketë qasje në aktvendimin e vitit 2003 si dhe në aktgjykimin që e përmendë Zyra Kadastrale të vitit 1998, të lëshuara nga Gjykata Komunale në Prishtinë në periudhat respektive. Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, e cila posedon lëndët e Gjykatës Komunale pas shuarjes së saj, por dhe në Komunën e Prishtinës nuk kanë dhënë qasje me arsyetimin se nuk munden ta gjejnë dosjen pa numrin e lëndës.

Në Rektorat kanë thënë se nuk janë njoftuar nga Komuna se prona është privatizuar ndonjëherë. Sekretari i Përgjithshëm i UP-së, Besfort Krasniqi, ka deklaruar se janë njoftuar se prona është e privatizuar pasi bashkëpronarët në prill të këtij viti i kanë dërguar kërkesë për arritjen e një marrëveshje për kompensim të qirasë.

“Nga Departamenti për Buxhet dhe Financa në UP, kam pranuar konfirmimin se nuk ka pasur informacion se prona në fjalë është private dhe se nuk është paguar ndonjë qira.”, ka thënë Krasniqi.

Në dokumentet që Rektorati i ka dhënë qasje KOHËS, që sipas menaxhmentit të UP-së janë të gjitha materialet që i posedojnë për hapësirën e Fakulteteve Teknike, aty kishte mungesë të dokumenteve që definojnë pronësinë e parcelës.

Objekti në nëntë vjetët e parë të pasluftës është shfrytëzuar nga Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK). Drejtori i zyrës së TMK, Safet Syla, ka thënë se nuk kanë qenë të njoftuar asnjëherë që objekti që ky institucion e shfrytëzoi ka qenë në pronë private. Ai ka shtuar se TMK-ja nuk ka poseduar asnjë dokument kadastral për objektin.

Pronarët e rinj pretendojnë se ligjërisht kanë të drejtë në kërkesën e tyre, pavarësisht se nuk figurojnë si pronarë 13 vjet.

“Ne jemi pronar ligjor të parcelës 2725-1, ku janë ndërtuar aneksi i objektit të laboratorit të UP, prandaj konform ligjeve dhe konventës për të drejtat e njeriut ne duhet të kompensohemi për pamundësimin e shfrytëzimit të pronës private nga ana e Universitetit të Prishtinës”, është thënë në përgjigjen e bashkëpronarëve të tokës për KOHËN. Ata kanë treguar pse kërkojnë kompensim pikërisht për periudhën 13-vjeçare.

“Objekti përcjellës i UP është bërë funksional pas vitit 2010, kur TMK-ja e ka liruar dhe për këtë kërkojmë pagesën e qirasë nga ky vit kur e ka liruar TMK-ja”, është thënë në përgjigjen e tyre.

Ata pretendojnë se në nenin 18 dhe 23 të Ligji mbi Pronësinë dhe të Drejtat e tjera Sendore dhe në nenin 252 të Ligjit për Procedurën Kontestimore, ua garanton pronarëve të drejtat e tërësishme mbi këtë paluajtshmëri. Në këto tri nene nuk përcaktohet nëse një pronar ka të drejtë të kërkojë kompensim për periudhën që nuk e ka poseduar parcelën.

“Pronësia është e drejta e tërësishme në një send. Pronari mund të disponojë me sendin sipas dëshirës së tij, veçanërisht atë ta posedojë dhe ta përdorë, me atë të disponojë dhe të tjerët t’i përjashtojë nga çfarëdo ndikimi, nëse nuk kundërshtohet nga ligji ose nga të drejtat e një të treti”, shkruan në nenin 18.

Në kërkesën zyrtare dërguar Rektoratit, bashkëpronarët kanë paralajmëruar padi në rast se menaxhmenti i UP-së refuzon të jetë bashkëpunues.

“Në qoftë se Universiteti i Prishtinës (UP) respektivisht fakultete e lartë cekura heziton që të jetë bashkëpunues dhe refuzon që të bëjë kompensimin e dëmit material dhe lidhjen e kontratës së qirasë mbi pronën për periudhën vijuese që nga ky njoftim, atëherë ne do të jemi të detyruar që të ngremë padi pranë gjykatës kompetente për përmbushjen e detyrimit për kompensimin e dëmit dhe për lirimin e pronës që si pasojë direkte edhe rrënimin e objektit”, është thënë në kërkesën e tyre.

Kryesuesi i Këshillit Drejtues të UP-së, Altin Sahiti, ka njoftuar se e kanë refuzuar kërkesën për kompensim të qirasë. Siç merr vesh KOHA edhe pas pesë muajsh që nga kërkesa, bashkëpronarët ende nuk kanë ngritur padi ndaj UP-së. Ndërkohë që me gjithë insistimet e KOHËS përmes mekanizmave për qasje në dokumente zyrtare, as Gjykata Themelore e Prishtinës, as Arkivi Shtetëror dhe as Zyra Kadastrale nuk kanë siguruar kopjet e vendimeve gjyqësore përmes së cilave prona i është marrë komunës para apo pas luftës.

Sipas planit komunal rregullues për Lagjen “Bregu i Diellit” vetëm kjo parcelë prej 6 mijë metra katror është pronë private.

Probleme të pazgjidhura pronësore në mes UP-së dhe Komunës së Prishtinës ka shpërfaqur ndër vite në raportet e saj Zyra Kombëtare e Auditimit. Çdo vit ky institucion ka gjetur dobësi në regjistrimin e pronave në regjistrin e pasurive kapitale nga ana e Universitetit të Prishtinës.

Në gjetjet e tyre përfshijnë këto prona: Objekti dhe parcela e Rektoratit të UP-së, kompleksi Universitar (objektet e Bibliotekës Kombëtare, Fakultetit Filozofik, Filologjik, Shkencave Natyrore dhe Edukatës fizike), kompleksi i Fakultetit Ekonomik, Juridik dhe Edukimit, kompleksi i Fakultetit të vjetër Teknik (seksioni i arkitekturës), dhe objekti i ri i Fakultetit të Bujqësisë Veterinarisë (FBV).