Arbëri

Togeri policor suspendohet pasi shkoi i uniformuar në ngushëllime për Faton Hajrizin bashkë me kolegët

Një toger policor është suspenduar pasi shkoi për ngushëllime i uniformuar për Faton Hajrizin. Togeri policor është vetëm një nga njerëzit me pushtet, të cilët e kanë nderuar Faton Hajrizin, i dënuar në Kosovë edhe për plagosje të policëve. Në vazhdën e atyre që e kanë nderuar Faton Hajrizin si hero, meqë ai vrau një polic serb, kanë hyrë edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Zyrtari policor i nivelit më të lartë që shkoi për ngushëllime për Faton Hajrizin është suspenduar nga Policia, pasi ky institucion e zbatoi rekomandimin e Inspektoratit Policor të Kosovës.

IPK-ja të martën njoftoi se ka rekomanduar suspendimin shkaku që po dyshon për shkeljen e rëndë - “Sjellje e rëndë diskredituese”. 

E Policia në një përgjigje për KOHËN ka thënë se e ka zbatuar rekomandimin. 

“Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe në të gjitha rastet, përfshirë edhe këtë, veprimet e saj i ndërmerr komfor autorizimeve ligjore që ka dhe rekomandimeve të IPK-së, duke zbatuar të njëjtat”, thuhet në përgjigje.

Por hetimi, përveç lidhur me togerin policor, po vazhdon edhe për zyrtarët e tjerë policorë të rangut më të ulët që ishin me të.

Burimet në IPK thonë se për ngushëllime ishin rreth 20 zyrtarë policorë. 

“Veprimet që do të ndërmerren tutje janë të natyrës hetimore administrative deri në përfundimin e rastit. IPK-ja është në proces të verifikimit dhe analizimit të fotografive për të identifikuar zyrtarët e tjerë policorë. Inspektorati Policor ka filluar hetim disiplinor nën dyshimin se togeri policor së bashku me vartësit e tij kanë kryer shkelje të rëndë disiplinore -"Sjellje e rëndë diskredituese” e paraparë me aktet nënligjore të Policisë së Kosovës. Hetuesit e IPK-së pritet që në kuadër të angazhimeve për këtë rast të intervistojnë togerin policor e pastaj edhe zyrtarët e tjerë pas identifikimit të tyre”.

Ata shkuan për ngushëllime të uniformuar dhe në orar të punës.

I kontaktuar nga KOHA, komandanti i Stacionit Policor të Skenderajt, togeri Muhamet Kajtazi, ka thënë se nuk dëshiron të komentojë për këtë vendim. 

Për ngushëllime te familja Hajrizi një ditë më parë ka qenë edhe ish-deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj. 

Faton Hajrizi, i dënuar nga gjykatat kosovare, përfshirë edhe plagosjen e policëve të Kosovës, është vrarë në Lloznicë të Serbisë, pasi u arratis nga Kosova. 

Kryeministri Albin Kurti ka thënë në një hapje të mbledhjes së Qeverisë në javën kur u vra Hajrizi se ai nuk duhet të heroizohet. 

Për dallim nga Ekzekutivi, disa deputetë të PDK-së Hajrizin e vlerësuan si “hero”.