Arbëri

Tkurret prezenca e produkteve kosovare në tregjet ndërkombëtare

Mauna

Foto: Ilustrim

Bizneset kosovare kanë pësuar rënie të prezencës së tyre në tregjet ndërkombëtare gjatë vitit të kaluar. Trendi i rënies së eksporteve ka vazhduar edhe në janarin e këtij viti. Për dallim nga eksportet, Kosova pati më shumë mallra të importuara më 2023. Rritje të importeve pati edhe në muajin e parë të këtij viti

Prezenca e produkteve kosovare në tregjet ndërkombëtare është tkurrur për 100 milionë euro vitin e kaluar, krahasuar me vitin 2022. Rënie të eksporteve pati edhe në janarin e këtij viti për 3 për qind.

Por, kryeministri Albin Kurti pothuajse në çdo paraqitje të tij, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit, ka deklaruar se nga ardhja e tij në pushtet është dyfishuar eksporti.

“Në këta 3 vjet kemi dyfishuar si eksportet, ashtu edhe investimet e huaja direkte”, ka thënë Kurti.

Rritja e eksporteve nisi vrullshëm më 2021, kur Qeveria Kurti erdhi në pushtet, e vazhdoi me ritëm më të lartë më 2022.

Kurti nuk ka folur se cilat politika qeverisëse mund të kenë ndikuar në këtë rritje, por, sipas ekonomistit Edison Jakurtit, ajo ndodhi shkaku i çrregullimeve në zinxhirin furnizues.

“Hapësirat e krijuara si pasojë e çrregullimeve në zinxhirin furnizues, i cili ka ndikuar edhe në ndryshimin e vëllimit, edhe të përbërjes së tregtisë së mallrave në mes të vendeve të ndryshme dhe rritja e kërkesës pas largimit të masave kufizuese, si pasojë e COVID-19, ka ndikuar më së shumti në rritjen e eksportit të mallrave. Industri apo kompani të ndryshme nga Kosova i kanë shfrytëzuar këto hapësira duke i plasuar mallrat e tyre në tregjet jashtë Kosovës”, ka thënë Jakurti.

Ai ka theksuar se nëse krahasohen dallimet në mes të vlerës nominale dhe asaj reale të eksportit në mallra, shihet se një pjesë e rritjes është për shkak të ngritjes së çmimeve.

Sipas të dhënave nga Dogana, Kosova gjatë vitit 2023 ka eksportuar mallra në vlerë 820 milionë euro, ndërsa një vit më parë eksportet arritën vlerë rekorde prej 920 milionë euro.

Sa u përket importeve, ato ishin në vlerë 5.7 miliardë euro më 2023 dhe 5.6 miliardë euro më 2022.

Edhe kriza energjetike, si pasojë e luftës në Ukrainë, ka ndikuar që Kosova të eksportojë më shumë energji elektrike gjatë vitit 2022.

Zvogëlim të eksporteve ka pasur edhe gjatë muajit të parë të këtij viti. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave për Tregti të Jashtme, në janar u eksportuan mallra në vlerë 60.3 milionë euro apo 3 për qind më pak sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

E kundërta ka ndodhur me importet. Ato u rriten për 7 për qind në janar, përkatësisht 380 milionë euro.

Qeveria tek në mesin e vitit të kaluar ka miratuar Politikën Industriale 2030, ku si objektiv është edhe ulja e deficitit tregtar.