Prejse merr pjesë në zgjedhjet që organizon Kosova, Lista Serbe do të ketë më së paku komuna nën udhëheqje, pas humbjes së pushtetit në katër komunat veriore. Lista Serbe, e cila bojkotoi zgjedhjet e 23 prillit, tani udhëheq me vetëm 6 gjashtë komunat në jug të lumit Ibër. E rezultati i së dielës ka ndryshuar edhe hartën politike të partive, ku PDK-ja pas fitore në Zveçan e Zubin Potok e tejkalon LDK-në me më së shumti komuna. Ndërkaq, LVV-ja që po ashtu mori pushtetin në dy komuna veriore, tejkaloi AAK-në
Zgjedhjet e së dielës në veri ndryshuan hartën elektorale të subjekteve që udhëheqin me komunat. Për herë të parë, subjekti kryesor që ka përfaqësuar serbët deri tash, do të jetë minus katër komuna. Për shkak të bojkotit, Lista Serbe më nuk do të udhëheqë me bastionet e saj: Mitrovicën e Veriut, Leposaviqin, Zveçanin edhe Zubin Potokun.
Lista Serbe prej vitit 2013 ka marrë pjesë në zgjedhjet që organizon Kosova, duke fituar në të gjitha 10 komunat, që popullohen me shumicë serbe. Kjo parti në jug të lumit Ibër udhëheq me Shtërpcën, Graçanicën, Ranillugun, Novobërdën, Kllokotin e Parteshin.
Pushtetin në veri ku shumicë janë serbët, do ta ndajnë Vetëvendosja e PDK-ja të cilat fituan nga dy komuna.
Pas fitores në Zubin Potok e Zveçan, PDK-ja e tejkaloi Lidhjen Demokratike dhe tani qeverisë me më së shumti komuna në nivel vendi - gjithsej 10.
E partia që drejton qeverinë - Lëvizja Vetëvendosje, pas fitores në Mitrovicë të Veriut e Leposaviq tani ka gjashtë komuna, duke e tejkaluar AAK-në.
Por njohës të proceseve zgjedhore thonë se ky rezultat nuk do të ketë efekt në procese tjera zgjedhore, kurdo që mbahen ato.
“PDK-ja aktualisht udhëheq me numrin më të madh të komunave. Megjithatë, nuk e besoj se rezultati zgjedhor në veri mund ta ndikojë rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshëm kurdo që mbahen ato. Pra është një proces zgjedhor me specifika krejt ndryshe dhe mendoj përveç mesazheve politike që ka mundur të japë ky proces, ndikimi elektoral nuk mundet me qenë shumë i madh në ndryshimin e rezultateve në zgjedhjet qendrore kurdo që ato do të mbahen”, tha Sadri Rrmoku nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale.
Përderisa në zonat e banuara nga komuniteti serb pati bojkotim pothuajse të plotë të zgjedhjeve, në zonat e banuara me shqiptarë, kishte trend më të lartë të daljes në votime.
Por sipas Demokracisë në Veprim, e cila vëzhgoi zgjedhjet në veri, ndonëse i plotësuan kriteret minimale ligjore, ato nuk garantojnë legjitimitet politik e përfaqësues të institucioneve që do të prodhohen nga to.