Arbëri

Tjetërsimi i jashtëligjshëm i pronës së RTP-së, Themelorja dënon me burgim 4 persona

Gjykata Themelore në Ferizaj ka shpallur dënime me burgim ndaj 4 personave, për tjetërsimin e një prone prej 80 ari të Radio Prishtinës që gjendet në Veternik.

KOHA kishte raportuar në vitin 2019 se si një parcelë prej 80 ari, Radio-Prishtina e kishte humbur në emër “të një borxhi të RTK-së”.

Themelorja në Ferizaj këtë javë ka dënuar me dhjetë muaj burgim Hilmi Kastrati, i cili akuzohet se si kryetar i Bordit Ekzekutiv të Drejtorëve të RTK-së në periudhën 2015-2018, kishte tejkaluar kompetencat e tij. Kastrati 6 muaj burgim është dënuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe gjashtë muaj tjerë për legalizim të përmbajtjes së rreme. Atij iu dha dënim unik prej 10 muajve.

Ndërsa ish-gjykatësi i Themelores në Prishtinë, Lekë Prenaj, është dënuar me gjashtë muaj burgim për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Toka në vlerë milionëshe, që ishte deri në maj të vitit 2019 pronë shoqërore, kishte kaluar në emër të pronarit privat, bazuar në një aktgjykim Prenajt.

Dy të akuzuarit tjerë Shpëtim Pllana dhe Shkumbin Qehaja, për veprën penale legalizimi përmbajtjes së rreme, u dënuan secili veç e veç me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 6 muajsh.

Shkumbin Qehaja, nëpërmjet gjykatës, në emër të “një borxhi që RTK-ja i obligohet” ishte bërë pronar i parcelës 1781/2, e cila është pronë e Radio-Prishtinës. Radiotelevizioni i Kosovës nuk është trashëgimtar i pasurisë së Radio-Prishtinës. 

Pasuria e Radio-Prishtinës menaxhohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit- AKP. Ky institucion nuk ka qenë fare në dijeni për vendimin e gjykatës që ia ka marrë rreth 80 arë, që i ka pasur nën mbikëqyrje.

Toka në vlerë milionëshe, që ishte deri në maj pronë shoqërore, ka kaluar në emër të pronarit privat, bazuar në një aktgjykim të gjyqtarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Lekë Prenaj.

Sipas aktakzuës thuhet se “më 24 maj 2018 Kastrati e ka përpiluar përgjigjen në padi me numër C.nr.3159/17, për vërtetimin e drejtës së pronësisë mbi ngastrën kadastrale 1781-2 në sipërfaqe prej 7768 metër katror në lagjen Veternik, zona kadastrale Prishtinë, me përmbajtje të pavërtetë, me të cilën nuk kontestohen pretendimet e paditësit Shkumbin Qehaja, e pastaj i lartpërmenduri Hilmi Kastrati, më 5 shtator 2018, e ka nënshkruar autorizimin me të cilin e ka autorizuar Shpëtim Pllanën, jurist nga Prishtina, që në kontestin sipas padisë së lartcekur ta përfaqësojë N.Sh. “Radio Televizioni i Prishtinës” në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Këtu thuhet se e ka bërë edhe pse i pandehuri Kastrati e ka ditur se ngastra në fjalë e të paditurës N.Sh. “Radio Televizioni i Prishtinës” gjendet në menaxhim dhe administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit”.

E gjykatësi Lekë Prenaj akuzohet se si person zyrtar – gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Civil, "duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, i ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare dhe e ka marrë vendimin gjyqësor në lidhje me pronën shoqërore të N.Sh. “Radio Televizioni i Prishtinës”, ngastrën kadastrale 1781-2 në sipërfaqe prej 7768 metër katror, në lagjen Veternik, zona kadastrale Prishtinë, edhe pse e ka ditur se për këtë është kompetente vetëm Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme e Republikës së Kosovës, kurse për menaxhimin e këtyre pronave kompetente është vetëm Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP)".

“Sipas aktakuzës, në shqyrtimin gjyqësor të 10 prillit 2019, në lëndën C.nr.3159/17, sipas padisë së 22 nëntorit 2017 të ushtruar nga paditësi – tani i pandehuri Shkumbin Qehaja, i pandehuri Lekë Prenaj, ka nxjerrë aktvendim gjyqësor me të cilin është miratuar pajtimi gjyqësor mes përfaqësuesve të palëve – avokatit Shefki Syla në emër të paditësit, tani i pandehuri Shkumbin Qehaja dhe tani të pandehurit Shpëtim Pllana në emër të paditurës, N.Sh. “Radio Televizioni i Prishtinës”, duke vërtetuar se pronar i ngastrës së lartcekur 1781-2 me sipërfaqe prej 7768 metër katror në lagjen Veternik, zona kadastrale Prishtinë, është paditësi, tani i pandehuri Shkumbin Qehaja. Me ç’rast, thuhet se i ka shkaktuar dëm të dëmtuarës NSH Radio Televizionit të Prishtinës, e cila përfaqësohet dhe administrohet nga AKP-ja. Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhej në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, Shpëtim Pllana dhe Shkumbin Qehaja kishin lidhur pajtim gjyqësor duke ia pranuar këtij të fundit të drejtën e pronësisë mbi ngastrën e lartpërmendur.

“Tutje, thuhet se mbi bazën e vendimit gjyqësor të 10 prillit 2019, të nxjerrë nga tani i pandehuri Lekë Prenaj, e kanë vënë në lajthim Drejtorinë për Kadastër në Komunën e Prishtinës, e cila më 23 maj 2019 e ka marrë aktvendimin me të cilin e ka aprovuar kërkesën e të pandehurit Shkumbin Qehaja për ndryshimin e titullarit të ngastrës së lartcekur, duke e bartur nga e dëmtuara në emër të këtij të fundit. Më këto, sipas aktakuzës, të pandehurit Hilmi Kastrati, Shpëtim Pllana, Shkumbin Qehaja dhe Lekë Prenaj i kanë shkaktuar dëm të dëmtuarës N.Sh. “Radio Televizioni i Prishtinës”, e cila gjendet në menaxhim dhe administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit”, thuhej në aktakuzë.