Shqipëria po lëkund reputacionin e saj për krimin e organizuar dhe po përballet me Greqinë dhe Kroacinë, ndërsa turizmi po rikthehet nga pandemia, shkruan The Times.
Linjat ajrore po rrisin frekuencat e fluturimeve, kompanitë e pushimeve po prezantojnë ture të reja dhe grupet kryesore të hoteleve po shpallin destinacione të reja në vend.
Ekspertët e udhëtimit thonë se media sociale është një forcë e fortë shtytëse e cila qëndron pas rritjes së interesit për Shqipërinë.
"Ata janë përdorues të mëdhenj të mediave sociale, dhe kanë përfituar nga kjo”, tha Ellie Marr, një specialiste për Shqipërinë në “Regent Holidays”.
“Në të kaluarën kishte shumë interes nga njerëzit që do të zbulonin Shqipërinë si një destinacion me një të kaluar komuniste. Tani është rasti që njerëzit ta kuptojnë se është një vend mahnitës për bregdetin dhe bukurinë e tij natyrore. Mediat sociale kanë pasur një efekt të madh”, ka thënë Marr.

Videot e TikTokut që shfaqin Ksamilin, një vendpushim plazhi me ujëra të pastra, janë parë më shumë se 60 milionë herë.
Marr, e cila sapo është kthyer nga pushimet e saj familjare nga Shqipëria, tha se ishte diversiteti i peizazheve, duke përfshirë vijën e bukur bregdetare, që e tërhoqi atë për të qëndruar në Shqipëri.
“Për sa i përket peizazhit, është një kombinim i Greqisë, Kroacisë dhe Malit të Zi. Plus ka një histori vërtet magjepsëse që, me të kaluarën e afërt komuniste, e bën atë tepër intriguese”, ka thënë Marr.
Skyscanner, platforma më e madhe e prenotimeve të fluturimeve në botë, tha se rezervimet për në Shqipëri janë rritur për 96 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019-ës, viti i fundit i udhëtimeve para pandemisë.
Në të gjitha linjat ajrore numri i fluturimeve drejt Shqipërisë është rritur. Në korrik të vitit 2019, 76 fluturime, me 14,000 ulëse, u nisën nga Britania e Madhe për në Shqipëri, sipas “Cirium”, një kompani analitike fluturimi. Ky numër u rrit në 207 muajin e kaluar, me 39,600 ulëse.
Original Travel ka disa vite që ka oferta për pushime në vend dhe po parashikon një bum turistik.
“Jemi të sigurt se do të fillojë të ketë një vërshim në Shqipëri. Sigurisht që ne po e shtyjmë atë si një alternativë ndaj këtyre destinacionev, si një opsion i shkëlqyeshëm për një pushim me vetujrë me shumë aventura”, ka thënë Tom Barber, bashkëthemeluesi i kompanisë.
ToursByLocals, e cila operon në shumë vende të Evropës, ka shtuar një turne të ri në qytetin e Korçës, si dhe një udhëtim shumëditor në “Rivierën Shqiptare” që përfshin plazhet e Durrësit, qytetit të Vlorës, Parkut Kombëtar të Llogarasë, dhe qendrës së trashëgimisë botërore të UNESCO-s në Butrint.
Celia Silvani, 31 vjeç, e cila ka rezervuar një udhëtim për fundin e muajit për në Shqipëri ka thënë se për këtë vendim është frymëzuar nga TikToku.
“Jam frymëzuar nga numri i TikTok-ëve që kam parë në faqen time ‘For You’ për rivierën shqiptare. Duket absolutisht mahnitëse dhe pak më ndryshe nga ndoshta disa nga pjesët më të njohura të turizmit masiv të Evropës, ku nuk më pëlqen të shkoj”, ka thënë ajo.
Silvani nga jugu i Londrës dhe bashkëshorti i saj po shkojnë në Ksamil dhe Sarandë.
“Ne po fluturojmë për në Korfuz dhe po marrim tragetin nga atje, kështu që do të arrijmë të kombinojmë dy vende në një udhëtim. Jam shumë e emocionuar dhe shpresoj që realiteti të përmbushë pritshmërinë time shumë të madhe të bazuar në TikTok”, ka shtuar ajo.
Një tjetër faktor nxitës i kërkesës janë çmimet e ulëta të Shqipërisë.
"Është me të vërtetë një nga destinacionet e fundit me të vërtetë buxhetore në Evropë. Ju mund të gjeni një vakt me tre pjata për 10 euro në disa vende. Plus, ju mund të pini edhe një gotë verë për 2 euro dhe një birrë për 1,50 euro. Kjo nuk duket se ndodh në ndonjë vend tjetër më”, ka thënë ajo.
