Pas përjashtimit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), kryetari i Këshillit Shtetëror të Cilësisë në këtë Agjenci, Gazmend Luboteni, në një intervistë për Radio Kosovën, u bëri thirrje institucioneve përkatëse që me fillimin e punës së Kuvendit të jetë prioritet miratimi i Ligjit për Agjencinë e Akreditimit, pasi kështu pavarësohet ajo dhe mund të aplikojë përsëri për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.
Kryetari i Këshillit Shtetëror të Cilësisë në Agjencinë e Akreditimit, Gazmend Luboteni, tha se studentët nuk duhet të shqetësohen për përjashtimin e kësaj agjencie nga ENQA, pasi diplomat e tyre do të njihen, do të ketë shkëmbime në bazë të marrëveshjeve që kanë universitetet e Kosovës me ato evropiane përmes programeve të ndryshme.
“Nuk mund të themi që diplomat nuk do të pranohen, por në një formë vështirësohet mobiliteti i studentëve. Natyrisht diplomat që lëshohen në Kosovë nuk mund t’iu refuzohen, mirëpo mund të vështirësohet mobiliteti dhe nuk ka arsye për ndonjë panik në këtë drejtim. Ka vende që nuk janë fare anëtare të ENQA-s, por diplomat e tyre njihen dhe studentët mund të studiojnë edhe jashtë”, ka thënë Luboteni.
Luboteni tha se përjashtimi nga ENQA nuk ishte lajm i mirë për Kosovën, ishte një vendim i drejtë, pasi siç tha, reflekton problemet strukturore të Agjencisë dhe trashëgiminë e lënë pas ndërhyrjeve të vazhdueshme politike në punën e Agjencisë së Akreditimit.
“Në njërën nga vërejtjet që janë bërë nga ky institucion, është se duhet të kemi një konsensus të gjerë për ngritjen e cilësisë në arsimin e lartë në nivel të Kosovës dhe ne nuk mund ta arrijmë vetëm këtë si Agjenci. Edhe pse ka kaluar një vit e gjysmë që jemi në këtë Këshill Shtetëror të Cilësisë, ende jemi duke u marrë me pasojat nga e kaluara”, ka shtuar ai.
Agjencia e Akreditimit, aktualisht ka vetëm katër punëtorë, që merren me procesin e akreditimit dhe monitorimit të institucioneve të arsimit të lartë, gjë që pamundëson një funksionim normal të saj. Kryetari i Këshillit Shtetëror të Cilësisë tha se një nga vërejtjet kryesore të ENQA-s është edhe mungesa e Ligjit për Agjencinë e Akreditimit, ligj i cili do të siguronte pavarësinë e plotë të kësaj agjencie.
“Agjencia e Akreditimit duhet të jetë një nga agjencitë më të rëndësishme në Kosovë dhe të jetë plotësisht e pavarur. Përndryshe nuk ka ecje drejt arritjes së cilësisë dhe anëtarësisë në këto institucione. Me miratimin e Ligjit të ri për Arsimin e Lartë dhe miratimin e Ligjit për Agjencinë e Akreditimit, mendoj që do të ketë një ndryshim substancial, që do të garantojë një funksionim normal të Agjencisë së Akreditimit dhe një rikthim në ENQA dhe EQAR”, ka thënë Luboteni.
Këshilli Shtetëror i Cilësisë vazhdimisht ka bërë publike shqetësimet rreth politizimit të procesit të akreditimit dhe cilësisë në arsimin e lartë në Republikën e Kosovës. Të gjeturat e ENQA-s janë plotësisht korrekte dhe pasqyrojnë ndikimet e jashtme dhe të brendshme me të cilat përballet agjencia tash e disa vite. Luboteni theksoi se është shumë shqetësuese që agjencia vazhdimisht është përballur me mungesë të mbështetjes, mungesë të burimeve njerëzore, që ka pamundësuar fuqizimin dhe llogaridhënien.