Fitër Bajrami

Thirrje për solidaritet e bashkim

Pritja në BIK

Bashkësia Islame e Kosovës ka organizuar pritjen tradicionale për liderët shtetërorë e institucionalë me rastin e Fitër Bajramit. I pari që u prit nga myftiu Naim Tërnava, ishte ipeshkvi Dodë Gjergji. BIK-un e vizituan kryeministri Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca e liderë të partive politike.


Osmani falënderon BIK-un për rolin dhe kontributin në shoqëri

Presidentja Vjosa Osmani ka falënderuar Bashkësinë Islame të Kosovës për rolin dhe kontributin në shoqëri.

Gjatë vizitës në BIK për nder të Fitër Bajramit, Osmani ka thënë se BIK-u ka qenë gjithmonë bashkëpunues për sfidat me të cilat është përballur vendi.

“Ishim këtu për të nderuar kryemyftiun dhe bashkëpunëtorët e tij, dhe nëpërmjet tyre, edhe shumë qytetarë për këtë festë të bekuar. Lutjet përgjatë Ramazanit të jenë të pranuara. Faleminderit për rolin që luan BIK-u në mënyrë që qytetarët tanë të ecin përpara. Dua t’i falënderoj për bashkëpunimin për sfidat me të cilat përballet vendi ynë. Për kontributin e dhënë gjatë Ramazanit. Të punojmë së bashku për qytetarët dhe shtetin tonë”, ka thënë Osmani.


Kurti kujton hoxhallarët e rënë në luftë

Albin Kurti në BIK

Kryeministri Albin Kurti ka kujtuar 37 hoxhallarë të cilët ranë si dëshmorë në luftën e fundit në Kosovë, në ditën e Fitër Bajramit.

Pas pritjes tradicionale në Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK), Kurti përpara mediave ka falënderuar BIK-un për kontributin dhe bashkëpunimin.

“Iu dëshiroj Bajram të gëzuar, në paqe e me begati. E falënderoj BIK-un për rolin, kontributin dhe bashkëpunimin. Muaji i Ramazanit ishte muaj i sakrificës dhe solidaritetit. E dimë nga historia që solidariteti dhe sakrifica janë mirësi që sjellin mbarësi. Në këtë pranverë, për çdo ditë po përkujtojmë përvjetor mbi masakrat e kryera mbi popullin tonë, por njëkohësisht kujtojmë 37 hoxhallarët të cilët janë dëshmorë të kombit nga lufta e fundit”, ka thënë Kurti.  

VIDEO:


Konjufca vlerëson aktivitetet e BIK-ut për bamirësi

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka vlerësuar aktivitetet e Bashkësisë Islame për bamirësi gjatë muajit të Ramazanit.

Në vizitën për Fitër Bajram në ambientet e BIK-ut, Konjufca ka thënë se kjo festë përmban mesazh të qartë dhe të sinqertë.

“Erdhëm në BIK që në emër të Kuvendit t’ia urojmë festën e Fitër Bajramit kryemyftiut dhe gjithë besimtarëve myslimanë. Kjo festë përmban brenda mesazhin e qartë dhe të sinqertë. Mesazhi do të thotë për fisnikërimin e shpirtit si një forme e falënderimit ndaj krijuesit përmes agjërimit. Solidaritet, harmoni dhe duke dëshiruar më të mirën për të gjithë”, ka thënë Konjufca.


Në BIK shkon edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka uruar festën e Fitër Bajramit gjatë pritjes tradicionale në BIK.

Ai ka uruar gëzime e mirësi për qytetarët e Kosovës, ndërsa urim të veçantë pati për të akuzuarit në Hagë.

VIDEO:


Abdixhiku uron Fitër Bajramin: Vlerat e kësaj feste të jenë të përditshme

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut, ka thënë se duhet punuar që vlerat e festës së Fitër Bajramit të jenë të përditshme.

“Vizituam kryemyftiun Naim Tërnava dhe nëpërmjet tij ia uruam komunitetin mysliman Fitër Bajramin. Shpresojmë që lutjet gjatë Ramazanit të jenë pranuar. Le të punojmë që këto vlera, lidhja me familjen dhe kontributi për vendin të jenë të përditshme”, ka thënë Abdixhikut në vizitën që e pati në BIK.


Haradinaj uron Fitër Bajramin

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka uruar Fitën Bajramin gjatë vizitës në Bashkësinë Islame.

Haradinaj e ka vlerësuar si nder vizitën në BIK.

“Ta gëzojmë gjithë së bashku këtë festë. Gjatë këtij muaji, u dëshmua përkushtim, solidaritet e humanizëm”, ka thënë ai.


Gjergji: Bashkëndjejmë gëzimin e festave 

Me rastin e festës së Fitër Bajramit, kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, si tradicionalisht ka organizuar pritje përurimi në selinë e kryesisë, ku i pari që i vizitoi ishte ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji.

I pari që ka vizituar Bashkësinë Islame ishte ipeshkvi Dodë Gjergji. Ai ka uruar besimtarët duke thënë se të dyja fetë bashkëndjejnë gëzimin e festave si vëllezër.

“Ne urojmë njëri tjetrin dhe bashkëndajmë gëzimin e festave si vëllezër sepse këtë zjarr dashurie e kanë ndeshur të parët tanë ndër ne dhe që moti, por nuk është një zjarr që qet tym, as të bardh dhe as të zi por është një zjarr që përhap aromë dashurie, lirie, paqe, mirësie, vëllazërimi dhe uroj që të gjithë shqiptarët kudo që janë të përjetojnë këtë moment të urimit të festave të ndërsjellëta, që të konfirmojnë edhe një herë paqen, lirinë dhe vëllazërinë në mes vete”, ka thënë ai.