Arbëri

Thirrje komunitetit ashkali në Fushë-Kosovë për vaksinimin e fëmijëve

Vaksinat e reja të cilat kanë nisur që të administrohen nëpër shkolla të Kosovës janë duke u kundërshtuar nga përfaqësuesit e komunitetit ashkali në Fushë-Kosovë. Në Komunë kanë thënë se po bëhen përpjekje për të gjetur forma që do t’i bindin prindërit për t’i vaksinuar fëmijët, duke mos e përjashtuar edhe kushtëzimin e dhënies së dokumenteve për vazhdimin e ndihmës sociale

Bazuar në planin e veprimit për vitet 2022-2025 mbi vaksinimin e nxënësve dhe të fëmijëve, Ministria e Shëndetësisë ka përfshirë në kalendarin e vaksinimit edhe tri vaksina të reja, atë HPV kundër Human Papilloma Virusit, kundër rotavirusit si dhe pneumokokut.

Por plani i veprimit i Ministrisë së Shëndetësisë, i cili ka nisur që të zbatohet nëpër shkolla, është duke u kundërshtuar nga fëmijët e komunitetit ashkali në Fushë-Kosovë.

Fatbardha Ramadani, mjeke në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në këtë qytet, ka thënë se të gjitha këto vaksina të reja janë për të mirën e nxënësve dhe fëmijëve.

“Prindërit janë shumë të kënaqur që kanë ardhur këto vaksina dhe nuk po hezitojnë t’i sjellin fëmijët për vaksinim, përkundër komuniteteve që ekzistojnë në Fushë-Kosovë, ato po hezitojnë për vaksinim. Jemi të lumtur që këtë vit ka ardhur edhe vaksina Homan Pokemon Virusit. Vajzat janë shumë të entuziazmuara dhe nuk po hezitojnë ta marrin vaksinën, kështu që janë gjeneratë me fat që kanë mundësinë ta marrin këtë vaksinë këtë vit”, ka thënë ajo.

Ramadani ka kërkuar nga të gjithë prindërit nga radhët e komunitetit ashkali që t’i sjellin fëmijët për vaksinim.

“Edhe vaksinat e reja kanë hyrë në kalendarin e vaksinimit dhe janë sipas moshës, kështu që i kisha inkurajuar të gjitha komunitetet dhe të gjithë prindërit që t’i sjellin fëmijët e tyre për vaksinim. Deri më tash, sipas të dhënave të fundit, asnjë efekt anësor prej këtyre vaksinave që kanë ardhur nuk ka, kështu që nuk kanë arsyeje pse prindërit të hezitojnë për t’i sjellë fëmijët për t’i marrë vaksinat”, ka theksuar Ramadani.

E Remzi Shala, drejtor i QKMF-së në Fushë-Kosovë, ka thënë se për qëllime të vaksinimit janë organizuar ekipe të ndryshme për të shkuar edhe nëpër shtëpi të përfaqësuesve të komunitetit ashkali, porse organizimi nuk ka prodhuar sukses.

“Ne i kemi përdorur të gjitha format e mundshme që t’i imunizojmë dhe t’i edukojmë familjet e tyre dhe prindërit e tyre për rëndësinë e vaksinimit, sepse këto janë shërbime të cilat janë të garantuara me ligj dhe të barabarta për të gjithë dhe të gjithë e kanë qasjen dhe mundësinë e vaksinimit të tyre nëpër këto qendra. Do të thotë, vështirësi ka, kemi përdorur edhe forma të ndryshme, një prej formave është edhe ajo përmes asistencës sociale, vërtetimet e tyre në mundësi jo në marrje, për vazhdimin e tyre që kanë treguar mjaft të suksesshme, sepse ata janë shfrytëzues të skemave sociale mbi 80 për qind të këtyre familjeve”, ka bërë të ditur ai.

KOHA gjatë të martës ka qëndruar edhe në Fushë-Kosovë te Lagjja e Ashkalive, por aty prindërit e fëmijëve nuk kanë pranuar që të flasin lidhur me këtë çështje.

Në Komunën e Fushë-Kosovës, sipas kalendarit të vaksinimit, pritet që të vaksinohen rreth 3 mijë nxënës të klasave të gjashta.