Arbëri

Thesari i kthyer në barrë për shtetin

Nga një thesar, që ishte promotor i zhvillimit, në Kosovën e pasluftës është shndërruar në një barrë për shtetin. Derisa në të kaluarën shiste ari e argjend, tani nga aty nxirret vetëm koncentrat. Me punën e saj nuk po arrin ta mbajë as veten, e as të sigurojë buxhet për pagat e punëtorëve. E zhytur në borxhe, me pajisje të amortizuara, pa shkritore funksionale dhe e ndarë në dysh, “Trepça” nuk ka arritur të rimëkëmbet as 24 vjet pas luftës

“‘Trepça’ punon, Beogradi ndërton”, është maksima që ka përshkruar fuqinë e gjigantit metalurgjik në vitet pas themelimit, por edhe që ka treguar se për llogari të kujt ka punuar ajo gjysmëshekullin e shkuar.

Por nga një thesar, që ishte promotor i zhvillimit, në Kosovën e pasluftës është shndërruar në një barrë për shtetin. Derisa në të kaluarën shiste ari e argjend, tani nga minierat nxirret vetëm koncentrat. Me punën e saj nuk arrin ta mbajë as veten, e as të sigurojë buxhet për pagat e punëtorëve.

E zhytur në borxhe, me pajisje të amortizuara, pa shkritore funksionale dhe e ndarë në dysh, “Trepça” nuk ka arritur të rimëkëmbet as 24 vjet pas luftës.

Shkëlqimin dhe rënien e saj i ka përjetuar edhe minatori Gani Osmani, i cili që nga 1981-ta punon në minierë.

Punën e filloi si një 19-vjeçar, duke përjetuar më pas edhe grevën e ’89-s së minatorëve, e cila lëkundi themelet e Jugosllavisë.

Propozimi për revokimin e autonomisë së Kosovës, nga regjimi i presidentit serb Slobodan Milosheviq, kishte nxitur një seri protestash, duke përfshirë një grevë urie tetëditore nga 1,300 minatorë kosovarë në minierat e plumbit dhe zinkut të “Trepçës”.

“Greva e ’89-s ka qenë grevë më specifike që mbahet në mend për nga kohëzgjatja dhe numri i punëtorëve, pasi kanë qenë 1,300 minatorë të ngujuar dhe mbahet mend se ka qenë grevë jo për çështje sociale, por për çështje politike dhe minatorët kanë qenë aq këmbëngulës që deri t’i realizojnë kërkesat e tyre të mos dalin dhe ia kanë arritur qëllimit”, ka thënë minatori Gani Osmani. “Mirëpo ka qenë edhe diçka që mbahet mend, e që është solidariteti në një grevë apo protestë që ka qenë më i madh që mbahet në mend. Diku 97 për qind kanë qenë me minatorët, me qytetarë me punëtorë, intelektualë e profesorë – të gjithë kanë qenë të solidarizuar, me përjashtim të minoriteteve”.

Greva e urisë ishte një moment vendimtar që frymëzoi rezistencën politike, ndezi trazira etnike dhe caktoi rrugën drejt konfliktit të armatosur midis forcave të Milosheviqit dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në fund të viteve ’90.

Çlirimi e gjeti “Trepçën” të rrënuar. Për një dekadë ajo u bë gati jofunksionale shkaku i mungesës së mirëmbajtjes e investimeve në njërën anë, dhe për shkak të largimit të minatorëve shqiptarë nga puna.

Por, edhe 34 vjet pas grevës me kërkesa politike, minatorët nuk po gjejnë qetësi. Mosrealizimi i pagave me kohë dhe pakënaqësitë me menaxhmentin, në fund të muajit të shkuar i shtynë mbi 200 minatorë që të ngujohen sërish në horizontin e dhjetë, rreth një kilometër nën tokë.

“E kemi një mendim, një qëllim. Derisa të na plotësohen këto kushte, ne kemi me nejtë. Shkarkimi i kryeshefit, se nuk është duke punuar për këtë minierë. Në radhë të parë me kanë që punon mirë, ne i kishim marrë pagat me rregull”, ka thënë minatori Bajram Sadriu, derisa ishte në grevë, dhe i cili tregon se as rrobat e punës nuk i siguron ndërmarrja. “Kjo nuk është e ‘Trepçë’, as kjo. Pos ky është i ‘Trepçës’, i kësaj organizate. Domethënë, me çizme, me krejt i blejmë me pare tonat. Nuk kem as dorëza, as kurrgjo”.

Në një ambient pune prej më të rëndëve e në kushte jo të mira shëndetësore, ata hynë në grevë që të mos dalin nga ai horizont deri në plotësim të kërkesave të tyre.

Sadik Aliu, mbikëqyrës i horizontit, tregoi se gjendja e minatorëve në zgafellë ishte e rënduar më shumë se një javë pas nisjes së presionit sindikal.

“Gjendja e tyre le të thotë kush çka të dojë është shumë e rëndë. Se miniera i ka ato vetitë e veta dhe unë kam punuar në minierë deri para 6 vjetësh. E di çka është miniera, lagështia, ajri i ndotur, ka kimikale dhe të gjitha të këqijat aty. Aty të qëndrosh 8 orë është rënd, e jo qe 8 ditë. Vetëm sot janë dalë diku 15 minatorë në gjendje të rëndë shëndetësore, një e dërguam në spital”, tregoi ai.

Ashtu si Aliu, as Osmani këtë radhë nuk ishte brenda horizontit. Solidaritetin me kolegët minatorë e kanë bërë nga jashtë. Por kjo Osmanit si pjesë e Sindikatës së Punëtorëve të “Trepçës” i kushtoi me suspendim nga puna, duke mos e lejuar të afrohet në ambiente të ndërmarrjes.

“Neve nuk na kanë lejuar të hyjmë në punë, që të mos munden as grevistët të kenë kontakt me sipërfaqe, na kanë largu nga aty. Nëse ne hyjmë në punë, punëtorët e sigurimit largohen në mënyrë automatike nga puna, e ne nuk jemi që ata të largohen nga puna, se edhe ata mbajnë familje”, ka thënë Osmani.

Image

Nga presioni i menaxhmentit që të dorëzojë listën e minatorëve grevistë, ditë më parë ka dhënë dorëheqje edhe ish-ushtruesi i detyrës së drejtorit, Bujar Jashari. Ai tregon se si erdhi deri te greva e minatorëve.

“Fillimisht kjo ka ardhur. Unë mendoj pikërisht për çështjen e vonesave të pagave, pra çështjen e vonesës së pagave nuk e kemi vetëm prej një apo dy muajve, por ndoshta që disa muaj. Janë vonu pagat ose janë nda në dy-tri pjesë. Kjo mendoj që ka ardhur për shkak të irritimit të minatorëve ndaj menaxhmentit”, ka thënë Jashari.

Greva pushoi të premten. Minatorët u pajtuan t’i rikthehen punës, pas marrëveshjes për përmbushje të pjesshme të kërkesave – që pagat të mos u vonohen dhe që pa vonesë të shpallet konkursi për kryeshefin e ri.

70 minerale

Vetëm në “Trepçë” janë të pranishme rreth 70 minerale, përveç plumbit, zinkut, arit e argjendtit.

Sipas të dhënave që përmban Strategjia Minerare, janë rreth 58 milionë tonë xehe që gjenden në vendburimet e Brezit Metalogjenik të “Trepçës” e që shtrihen nga Leposaviqi deri në Gllamë të Gjilanit.

Pjesa më e madhe e tyre apo rreth 35 milionë gjenden në Stantërg. Në kompleksin e minierave Bello Bërdë/Cërnac, që shtrihet në rrethinën e Komunës së Leposaviqit, totali i rezervave me xehe llogaritet mbi 7 milionë tonë.

Ndërsa, në tërë rajonin mineralmbajtës të Novobërdës, Hajvalisë, Badovcit dhe Kishnicës, përfshirë këtu edhe vendburimet që e rrethojnë, janë evidentuar rezervat e xehes prej 16 milionë e 37 mijë tonësh.

“Rezerva ka shumë të mëdha. Neve na ka çuar zoti këtë pasuri, vetëm duhet me ditë ta shfrytëzojmë. Aty duhen investime, duhen ekspertë. Për ata më parë kemi pasur të vetmin Fakultet, atë të Xehetarisë, Gjeologjisë dhe Teknologjisë në Mitrovicë, se iu ka përshtatë këtij vendi. Këtu duhet shteti të investojë. Ne mundemi me hap edhe miniera të tjera në pjesën e rajonit të Shalës që janë bërë hulumtime dhe është konstatuar se ka rezerva të bollshme, vetëm a mundesh me punu”, ka thënë Gani Osmani, ish-kryetar i Sindikatës së Minatorëve të “Trepçës”. “Tash teknologjia e zhvilluar mund të bëhet një miniflotacion, të bëhet edhe shkritorja dhe të finalizohen metalet me vlerë dhe sa fiton dikush, të fitojmë ne, të fitojë edhe shteti, edhe popullata dhe shkon zhvillimi i shtetit përpara. Na punojmë e derdhim djersë, e vijnë polakët e grekët e qesin në shkritore dhe i ndajnë mineralet me vlerë, e na – qysh thotë populli – vetëm sa për bukë të gojës”.

19 kryeshefa

Por sipas profesorit të ekonomisë, ish-kryetar i Komisionit për Ekonomi vite më parë, Muhamet Mustafa, “Trepça” është lënë pas dore që nga paslufta dhe është joefikase me punën që e bën sot.

“Duhet me i pyet qeveritë me radhë pse s’ka funksionuar që kur u miratua Ligji për ‘Trepçën’. Por ‘Trepça’ është lënë pas dore, fatkeqësisht. Nuk janë hapur perspektivat e zhvillimit. Ajo çka shet ‘Trepça’ sot nuk është efiçiente. S’është efikase. Qe 23-24 vjet, ne kemi mbetur në atë nivel, me atë teknologji. Nuk mund të bëhet prosperuese me këtë mënyrë të punës”, ka thënë profesori Mustafa.

Për ta pasur në gjendje të mirë “Trepçën”, sipas Mustafës, duhet të jetë Bordi mbikëqyrës, i përbërë nga ekspertë të fushave të ndryshme, Bordi Menaxhues, avancimi i teknologjisë e të tjera. Bordet që janë sot, siç thotë ai, nuk janë në nivelin e transformimit të “Trepçës”.

“Duhet të jenë Bordi mbikëqyrës dhe Bordi menaxhues. I pari duhet me pasë ekspertë të secilës fushë, të teknologjisë, të marketingut. A kemi ekspertë të tillë sot në Bord? Bordi mbikëqyrës do të duhej të emëronte drejtorin, siç e ka mbajtur në vitet ’70-a. Bordet aktuale nuk janë në nivelin që e kërkon transformimi i ‘Trepçës’, pa dashtë me i nënçmu. Teknologjia duhet të përmirësohet në miniera, duhet të modernizohet flotacioni, por duhet shkuar në metalurgji sa më shpejt”, ka thënë profesori Mustafa.

Sa herë u ndërruan pushtetet, u ndërruan edhe përbërja e Bordit e menaxhmenti të “Trepçës”, gjë që ndikoi në punën e ndërmarrjes, duke shtrirë ndikimin e politikës.

“Që nga paslufta 19 kryeshefa janë ndërruar. Do të thotë qysh janë ndërru partitë, janë ndërruar edhe kryeshefat dhe kjo është reale në Kosovë, që ai qeveritar që vjen në pushtet i qet njerëzit e vet. Edhe bordin, edhe kryeshefin e qet, njerëzit e vet. Ne jemi dëshmitarë që kur ka qenë PAN-i, nga të gjitha partitë ka qenë nga një anëtar”, ka thënë minatori Gani Osmani.

Image

32 milionë euro borxhe

Në vitin 2018, Qeveria e Kosovës e kishte shpallur si vit të kompleksit metalurgjik “Trepça”, por që nuk arriti të vërë në funksion të zhvillimit ekonomik dhe të zgjidhë problemet me të cilat po përballet ndërmarrja.

Ani se kishin kaluar dy vjet nga miratimi i Ligjit për “Trepçën”, i cili synonte rimëkëmbjen dhe rivitalizimin e saj, ligji nuk arriti të zbatohet duke bërë që ndërmarrja të futej në vështirësi të shumta financiare dhe kapacitete minimale prodhuese.

Para ardhjes në pushtet, kryeministri Albin Kurti ka premtuar rimëkëmbjen e “Trepçës”.

“Mosinvestimi në ‘Trepçë’ është një ndër krimet më të mëdha në Kosovën e pasluftës, sepse nuk është krim vetëm kur bën diçka keq, por edhe kur s’bën diçka mirë dhe e ke përgjegjësinë për diçka të tillë”, pati kritikuar Kurti.

Por edhe pas dy vjetësh prejse është në pushtet, gjendja është e njëjtë. Ndërmarrja udhëhiqet me ushtrues detyre, ani se ligji parasheh që pozitat e tilla të mos ushtrohen më shumë se 1 vit.

Pavarësisht ndihmës së dhënë nga Qeveria, ndërmarrja nuk po këndellet. Borxhet e saj janë rreth 32 milionë euro.

Sipas Raportit të auditimit, “Trepça” nuk ka arritur që të shfrytëzojë me efikasitet burimet minerare dhe se humbjet e saj mujore janë mbi 620 mijë euro. Kjo pasi shpenzimet e përgjithshme tejkalojnë të hyrat e realizuara nga shitja.

300 milionë euro për rimëkëmbje?

Në vitin 2020, lënda e nxjerrë në Njësinë e Stantërgut dhe Kishnicës është shitur për shumën 14 milionë e 316 mijë euro, por në vitin pasues ajo ka rënë për 2 milionë euro.

Në Ministrinë e Ekonomisë thonë se gjatë katër vjetëve të fundit Qeveria ka mbështetur “Trepçën” përmes subvencioneve me vlerë mbi 28 milionë euro për investime kapitale e shpenzime operative, si dhe për paga e energji elektrike.

“Në prill të këtij viti, Qeveria ka miratuar në parim një kredi investive prej 20 milionë eurosh për ‘Trepçën’. Ne shpresojmë që kushtet për disbursim të kredisë do të plotësohen shpejt dhe për këtë jemi në bashkëpunim me ndërmarrjen dhe palët e tjera. Në këtë drejtim, nga ndërmarrja presim fuqizimin e mëtejmë të kontrollit të brendshëm financiar e operativ”, thuhet në një përgjigje të shkruar të Ministrisë.

E kryetari i Sindikatës së “Trepçës”, Ibrahim Januzi thotë se me punën që bëjnë minatorët e Stantërgut mbulojnë pagat e tyre.

“Sa i përket minierës së Stantërgut me flotacion, pagat tona mbulohen mjaftueshëm. Por, problemet në ndërmarrjen ‘Trepça’ se ajo ka qenë një organizatë punuese shumë e madhe dhe pas luftës dëmtimi i shkritores ka bërë që ato njësi të jenë fiktive dhe ata punëtorë të punojnë vetëm në pastrim e mirëmbajtje dhe nuk janë produktivë në të hyra, gjë që ka bërë që minatorëve t’iu ngarkohet barra e punëtorëve të tjerë dhe se kjo është arsyeja që nuk po mund të realizohen pagat”, ka thënë Januzi.

Januzi ka treguar edhe për arsyet pse nuk po arrin që të ketë prodhim më të madh.

“Janë edhe kushtet e rënda të punës, mungesa e mjeteve dhe këto janë arsyet që ne nuk mund t’i arrijmë kërkesat e menaxhmentit, por detyrë e menaxhmentit është që të krijojë kushte, të krijojë investime, pasi e vetmja formë është për të ecur para, pasi ne si minatorë nuk kemi fuqi që të bëjmë më shumë”, ka thënë ai.

Gjiganti metalurgjik “Trepça”, që dikur ishte shtylla kryesore e ekonomisë së Kosovës, pritet t’i kalojë Fondit Sovran, i themeluar gjatë mandatit të Qeverisë Kurti.

Por ky fond, që ka kapital themeltar prej 20 milionë eurosh, nuk jep shpresa që do ta këndellë ndërmarrjen e zhytur në borxhe.

Për rimëkëmbjen e saj, sipas ekonomistëve, do të duhen së paku 300 milionë euro investime.