Arbëri

Themeluesit dhe kundërshtarët e “Open Ballkan” bëhen bashkë në Slloveni

Javën e ardhshme në Slloveni do të mbahet Forumi Strategjik i Bledit, ku do të marrin pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor, të cilët i ndanë nismat e fundit sikurse ajo për “Ballkanin e Hapur”. Kosova do të përfaqësohet nga kryeministri Kurti. Mbështetur në programin e publikuar në faqen zyrtare të Forumit, Kurti do të jetë në një panel me iniciuesit e “Ballkan Open”- kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe atë të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Themeluesit e “Ballkanit të Hapur” dhe kundërshtarët e tij do të bëhen bashkë në një nismë tjetër. Forumi Strategjik, që mbahet në Bled të Sllovenisë më 1 dhe 2 shtator, do t’i mbledhë të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor.

Pjesëmarrëse do të jetë edhe Kosova që përfaqësohet nga kryeministri Albin Kurti.

Mbështetur në programin e publikuar në faqen zyrtare të Forumit, Kurti do të jetë në një panel me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe atë të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Dy të fundit janë pjesë e “Ballkan Open”, në të cilin Kurti refuzoi të përfshihet. Njësoj vepruan edhe përfaqësues të Malit të Zi e Bosnjë-Hercegovinës që po ashtu do të jenë pjesë e Forumit të Bledit.

Pjesë e debatit do të jenë edhe zyrtarë të Bashkimit Evropian.

Ndërkaq në fokus të diskutimit është marrëdhënia mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, teksa përmenden edhe nismat që nxitën edhe reagime.

“Vitet e fundit pati shumë kërkime midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Në mungesë të vullnetit të besueshëm politik për të çuar përpara proceset e zgjerimit dhe reformimit, ne u përballëm me një sërë nismash, mjetesh, mekanizmash dhe instrumentesh të reja, të cilat ishin krijuar për të mbajtur zjarrin gjallë. Debati mbi të ardhmen e Evropës solli dinamika të reja në të gjithë marrëdhënien”, thuhet në përshkrimin e temës së programit, për të cilën do të flasë edhe Kurti.

Forumi i Bledit u lansua në vitin 2006 për të promovuar dialogun e hapur mbi çështjet politike, të sigurisë dhe zhvillimit.