Deputetët e Kuvendit kanë themeluar komisionin hetimor për tekstet shkollore.
Paraprakisht, kjo kërkesë e opozitës u konsiderua nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, si e bazuar në të pavërteta.
Ajo ka shtuar se edhe procesi i furnizimit ka pasur shumë anomali. Ministrja ka folur pasi është kritikuar nga opozita në Kuvend për çështjen e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore.
“Për më shumë se 10 vjet nxënësit tanë kanë mësuar në tekste që ka pasur gabime e …. Në ata libra personave me sindromin doën u referoheshin me terme si mongolë idiotë e persona që nuk jetojnë më shumë se 16 vjet. Libri i Sociologjisë i klasës 12 shkruante se Kosova është ende nën administrimin e UNMIK-ut. Libri i Edukatës Qytetare i referohej familjes me një prind si e mangët dhe e çrregullt. Këto dhe shumë anomali të tjera janë denoncuar në vazhdimësi por asnjëherë nuk janë trajtuar nga MASHT dhe qeveritë. Përtej përmbajtjes, procesi i furnizimit është përcjellë me shumë anomali”, ka thënë Nagavci.
Nga 82 deputetë prezentë, 57 prej tyre votuan për e 4 kundër.
Nagavci: Kërkesa e PDK-së për komision hetimor është e bazuar në të pavërteta
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se për më shumë se dhjetë vjet nxënësit kanë mësuar me tekste shkollore që kanë pasur gabime. Ajo ka thënë se në këto tekste ka pasur terme të papranueshëm, por që nga qeveritë e atëhershme nuk është ndërmarrë diçka.
Nagavci ka shtuar se edhe procesi i furnizimit ka pasur shumë anomali. Ajo ka folur pasi është kritikuar nga opozita në Kuvend për çështjen e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore.
“Për më shumë se 10 vjet nxënësit tanë kanë mësuar në tekste që ka pasur gabime e …. Në ata libra personave me sindromin doën u referoheshin me terme si mongolë idiotë e persona që nuk jetojnë më shumë se 16 vjet. Libri i Sociologjisë i klasës 12 shkruante se Kosova është ende nën administrimin e UNMIK-ut. Libri i Edukatës Qytetare i referohej familjes me një prind si e mangët dhe e çrregullt. Këto dhe shumë anomali të tjera janë denoncuar në vazhdimësi por asnjëherë nuk janë trajtuar nga MASHT dhe qeveritë. Përtej përmbajtjes, procesi i furnizimit është përcjellë me shumë anomali”, ka thënë ajo.
Nagavci është shprehur se buxheti është keqpërdorur për shumë vite. Ndër to, ka përmendur PDK-në në qeverisje.
“Kemi edhe raporte auditimi që kanë gjetur keqpërdorime milionëshe të buxhetit. Po i referohem një raporti, kur qeveriste PDK e cila po kërkon themelimin e këtij komisioni që mezi po pres ta themeloni, gjysmë milionë libra u gjetën në depo e bodrume të shkollave, thuhej në raport dhe po citoj nga porosia e tepërt e librave buxheti është dëmtuar mbi një milion euro. Dhe ky monitorim ka qenë në vetëm 6 shkolla”.
Ajo ka potencuar se kërkesa e PDK-së për komision hetimor është e bazuar në të pavërteta, ndërkohë ka thënë se po qe se themelohet do të jetë e kënaqur që të hetohen të gjitha keqpërdorimet ndër vite.
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë se shpreson se VV-ja do ta mbështesë themelimin e komisionit.
“Ky komision ka me zbardhë lidhjen e Arbërie Nagavcit me kompaninë Albas. Kjo më 2020 ka deklaruar të ardhura nga shtëpia botuese Albas”, ka thënë Haxhiu.
Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, ka kërkuar përgjigje nga ministrja për lidhjet me shtëpinë botuese Albas.
“Të na tregojë që është e vërtetë që ministrja ka pasur të hyra në deklarim të pasurisë nga kompania Albas dhe si është e mundur që më 2021 fitoi miliona euro për furnizim me libra. Nëse ka pasur te hyra nga kompania Albas të tregojë se në çfarë cilësie. Le ta demantojë ministrja nëse nuk është ashtu”.
Ministrja Nagavci ka thënë se gjithçka që ka deklaruar “e kam fituar me nder”.
“Nuk mund të më frikësoni as shantazhoni sepse kurrë në jetën time nuk kam bërë diçka për të fshehur”.
Ndërkohë, në sallën e Kuvendit deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, e ka vënë në foltore një fotografi të ministres Nagavci e anëtares së VV-së, Dejona Mihali, bashkë me logon e shtëpisë botuese në mes. Fotografia u hoq më vonë nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila pasi e grisi e hodhi në drejtim të deputetëve të PDK-së.
Kastrati ka thënë se Albasi ka përfituar miliona nga MASHTI përmes subvencionimit të teksteve shkollore.
“Dola me të pyet sa para ia ke dhënë Albasit, sa miliona, trego?” ka pyetur Kastrati.
E, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se metoda e sigurimit të librave nga shteti ka qenë e mirë por që është keqpërdorur më pas.
“Nëse para 15 vjetëve në klasë të parë kanë qenë abetarja dhe matematika por ka pasur incentiva që shtëpitë botuese me i korruptu komisionet dhe sot kemi përfunduar që klasa e parë t’i ketë 14 libra. Qe çfarë situate, është stërkeqë ky mekanizëm dhe kjo metodë. Kjo jo vetëm që e dëmton buxhetin por ka edhe pasoja fizike për nxënësit, vetëm e vetëm që disa shtëpi botuese me fitu para. Çështja e dytë që ka ndikuar në mosshfrytëzim efikas të buxhetit ka qenë edhe cilësia e vetë librave. Në të kaluarën një prind ka blerë një libër e ka shikuar cilësinë dhe e ka ruajtur librin nga një gjeneratë në tjetrën. Me rregullimin ligjor siç ka qenë ka qenë i mangët sepse është imponuar të blihet libri nga autori të të cilit i ka pasur të drejtat shtëpia botuese. A kemi dëgjuar ndonjëherë që deputetët e opozitës të kërkohet të hetohet ky sistem siç ka ndodhur më herët. Jo”, ka thënë ai.
PDK-ja kërkon trajtim urgjent të çështjes me tekstet shkollore, VV-ja thotë se s’është urgjencë
Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024. Kjo pikë është diskutuar të enjten në Kuvendin e Kosovës.
Deputetja e PDK-së, Floretë Zejnullahu, ka thënë se vendimi që tekstet shkollore të subvencionohen përmes prindërve është absurd. Ajo ka shtuar se Qeveria ka dështuar t’i pajisë nxënësit me tekste shkollore dhe për këtë arsye nevojitet hetim urgjent.
“Fillimi i këtij vitit shkollor i gjeti pa tekste shkollore nxënësit. Nga shtatori e deri më sot as Kuvendi e as qytetarët nuk janë njoftuar nga Qeveria për këtë proces. Për të parë dhe vlerësuar koston financiare të subvencionimin për tekstet shkollore pse ka dështuar pajisja e nxënësve me tekste shkollore kemi iniciuar këtë komision hetimor. Derisa ligji në fuqi për arsimim parauniversitar përcakton se shkollimi është i detyrueshëm qeveria ka dështuar t’i sigurojë tekstet shkollore falas. Vendimi që tekstet të subvencionohen përmes prindërve është absurde dhe e paligjshme. Pasojat dhe dështimet i kanë vuajtur mbi 200 mijë nxënës. Shkelja e ligjit në fuqi për ndarjet buxhetore dhe për arsimin parauniversitar ku përcaktohet që MASHT të ofrojë tekstet paraqesin shkelje flagrante ligjore. Një skandal i tillë ligjor e menaxherial meriton trajtim urgjent nga institucionet e Kosovës”, ka thënë ajo.
Zejnullahu ka thënë se komisioni hetimor do t’i parashtronte disa pyetje rreth mjeteve që janë shpenzuar për subvencionim, kostoja për blerje vitet e kaluara, çmimet e teksteve, e të tjera.
Kurse, deputeti i VV-së, Ardian Gola, ka thënë se nuk mund të quhet urgjencë një çështje që ka përfunduar muaj më parë.
“Dhe nëse është fjala për urgjencë, trajtim me urgjencë, ju lutem ky proces ka përfunduar para gjashtë muajve dhe ose ju nuk e keni pasur urgjencë këtë çështje ose diçka këtu nuk është rregull”, ka thënë Gola.
LDK-ja i ka dhënë mbështetje formimit të komisionit. Deputetja Vlora Dumoshi ka thënë se ministrja e Arsimit duhet të mbahet përgjegjëse për dëmin e shkaktuar arsimit dhe nxënësve.
“Ministre sipas një studimi të një organizatës ETEA, nxënësit kanë deklaruar se nxënësit në klasa nuk i kanë te gjitha librat. Politika jote ka pasur ndikim negativ ne mbarëvajtjen e procesit mësimor thonë mbi 50 për qind e nxënësve”, ka thënë ajo.
Nëse nuk themelohet komisionit, Dumoshi ka thënë se do t’i bëjnë thirrje publike Prokurorisë që të nisë hetimit e këtij procesi.
Kuvendi sot mban dy seanca
Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë dy seanca plenare. Deputetët në orën 10:00 pritet të mblidhen për një seancë solemne për shënimin e 25 -vjetorit të Betejës së Koshares.
Ndërkohë në orën 11:00 Kuvendi do të mbajë seancë të rregullt plenare. Në rend dite janë gjithsej 39 pika, përfshirë disa që janë bartur nga seancat e kaluara.