Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë vendosur lidhur me kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për kufizimin e komunikimeve me jashtë për ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe ish-shefin e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi. Këto masa me përjashtime të vogla nuk e prekin Jakup Krasniqin, për të cilin prokuroria nuk pati pretendime për shkelje të rregullave të paraburgimit
Bisedat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit do të dëgjohen rregullisht nga një përkthyes shqip-anglisht që do të angazhohet në qendrën e paraburgimit në Scheveningen, në afërsi të Hagës, ku ndodhen në paraburgim tash e më shumë se tre vjet udhëheqësit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Dhomat e Specializuara kanë zbuluar vendimin që është marrë të premten në bazë të të cilit, ndër të tjera, kufizohet numri i vizitorëve – meqë tash për tash nuk ka përkthyes të mjaftueshëm për përgjimin e bisedave të tyre.
“Në mënyrë që këto masa të jenë efektive, këto vizita duhet të monitorohen nga një shqipfolës. Trupi gjykues është në dijeni të faktit që monitorimi kërkon kohë e resurse shtesë nga Administrata dhe Njësia Menaxhuese e Qendrës së Paraburgimit. Në emër të sigurimit të monitorimit efektiv të këtyre vizitave, trupi gjykues e kufizon numrin e vizitave jo të privilegjuara me prezencë fizike në pesë për muaj – pa përfshirë vizitat konsullore dhe private. Vizitat private në këtë kontekst janë vizitat nga bashkëshortet e të akuzuarve dhe/ose fëmijët e tyre. Administrata do ta ketë nën diskrecionin e saj që ta kufizojë edhe më tej numrin e këtyre vizitave apo kohës së secilës prej tyre në mënyrë që të garantohet monitorimi efektiv i këtyre vizitave. Kur të vendosen kufizime të këtilla nga Administrata, duhet të njoftohet menjëherë trupi gjykues lidhur me këtë vendim”, shkruan në vendimin e gjykatës.
Tre të pandehurve të rastit më të madh të Speciales u ndalohen pëshpëritjet në komunikim me vizitorët, pos në rastin kur ka të bëjë me anëtarët e ekipit të mbrojtjes.
Kryetarja e Speciales, Ekaterian Trendafilova, ditë më parë sa qëndroi në Prishtinë, ka thënë se bisedat e të akuzuarve me mbrojtësit e tyre llogariten si të privilegjuara dhe nuk mund të përgjohen nga administrata e burgut.
E obligimi nuk u jepet vetëm të pandehurve e administratës, por edhe personave që komunikojnë me ta, duke i ndaluar edhe pëshpëritjet.
“Trupi gjykues obligon administratën që të sigurohet që: 1) të tre të akuzuarit nuk do ta kenë më shumë se një vizitor përnjëherësh (me përjashtim kur vizitohen prej bashkëshorteve/partnereve dhe fëmijëve të cilët mund të bëjnë vizita të përbashkëta por pa vizitorë të tjerë të pranishëm);... 6) Të gjithë të pandehurit dhe vizitorët duhet të komunikojnë zëshëm dhe nuk u lejohet që ta mbajnë të fshehtë bisedën me psherëtima apo gjuhë të koduar, 7) Nëse ndonjë prej këtyre kushteve apo rregullave të vizitave shkelet, Administrata dhe ata që veprojnë në emër të saj janë të autorizuar që ta ndërpresin menjëherë vizitën”, thuhet në këtë vendim.
Avokati i akredituar nga Dhomat e Specializuara, Taulant Hodaj, ka thënë se ky vendim është vazhdimësi e vendimit të përkohshëm që gjykata nxori javën e shkuar dhe reflekton rrethana të pazakonta.
“Ka shumë, shumë kufizime me këtë vendim që parimisht janë në kundërshtim liritë dhe të drejtat e një të paraburgosuri, ndërkohë që në raste ekstreme mund të aprovohen nga gjykata kur ka dyshime që mund të dëmtohet e të pengohet procesi i administrimit të drejtësisë”, është shprehur Hodaj.
Vendimi i publikuar të hënën refuzon kërkesën e prokurorisë për t’i veçuar fizikisht të pandehurit nga njëri-tjetri në Qendrën e Paraburgimit – si masë joproporcionale për mbrojtjen e dëshmitarëve.
Vizitat dhe bisedat do të evidentohen edhe për ish-kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi.
Megjithatë, ndaj Krasniqit nuk ka kufizime të tilla si ato në numrin e vizitorëve që vlejnë për Thaçin, Veselin e Selimin.
Nëse llogariten edhe rastet e Nasim Haradinajt e Hysni Gucatit, që janë dënuar në të gjitha shkallët e speciales dhe rasti i Isni Kilajt që aktualisht është i dyshuar për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, Gjykata Speciale ka tri raste që ndërlidhen me vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe tri që ndërlidhen me krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Avokati Hodaj mendon se edhe për nga aktivitetet si bastisjet e intervistat e zhvilluara në Kosovë është vërejtur që Zyra e Prokurorit të Specializuar është duke u angazhuar më shumë në hetime që ndërlidhen me veprat penale kundër administrimit të drejtësisë sesa me ato që ndërlidhen me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
“Gjykata Speciale bashkë me prokurorinë janë themeluar për gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë, sidomos nga raporti i Dick Martyt dhe deri më tani kemi më shumë raste që të njëjtit janë marrë me veprat penale kundër administrimit të drejtësisë sesa me veprat penale për krime të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit. Juridiksioni parimor i gjykatës janë krimet e luftës, ndërsa juridiksion sekondar që është shtesë është për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë dhe tani kemi më shumë raste për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë sesa për krime të luftës, por mendoj që Prokuroria dhe gjykata do ta japin mesazhin me këto raste që i kanë hapur se ne po monitorojmë gjithçka dhe mos tentoni të ndikoni në dëshmitarë sepse ne nuk hezitojmë të merremi me çdokënd që mund të bie ndesh me një ligj ku hyjnë veprat penale kundër administrimit të drejtësisë”, ka theksuar Hodaj.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm në aktakuzat e Prokurorisë.