Arbëri

Thaçi: Ushqimet që futen në Kosovë janë të sigurta

Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Lamir Thaçi, ka deklaruar se ushqimet që futen në Kosovë janë të sigurta për faktin se sipas tij, secili kontroll në kufi kryhet sipas standardeve të nevojshme. Ai është shprehur të enjten se zhvillimi teknologjik ka ndikuar që ngarkesat të vijnë nga secili shtet i botës dhe të inspektohen nëpërmjet detektimit digjital.

“Kur bëhet fjalë për ushqimin, të gjitha shtetet i ndërmarrin veprimet e duhura pasi duan që të jenë të besueshëm dhe garantimin për ngarkesën e bën vetë shteti. Edhe produktet që eksportohen nga Kosova garantohen nga AUV-i dhe sot që kemi liberalizimin e vizave, në Evropë shihni produkte ‘Made in Kosova’. Ne s’duhet të kemi hezitime apo dyshime sa i përket produkteve që vijnë”, ka deklaruar ai në “60 Minuta” të KTV-së.

Për ushqimet nga Brazili Thaçi u shpreh se ky shtet është i pari në botë për eksport, duke u shprehur se në ndodh të ketë incidente për sëmundje, Brazili i njofton të gjitha autoritetet.

“Kosova ende vazhdon të ketë masën 100 për qind të kontrollit. Zyrtarët tanë që punojnë në kufi i quajmë doktorë dhe asnjë ngarkesë nuk kalon pa kontrollin e inspektorëve kompetentë...Me mjetet teknologjike të fundit, një  ngarkesë mund të vijë nga secili shtet i botës pa u cenuar siguria”, ka shtuar Thaçi.

Zëdhënësi i Agjencisë ka njoftuar se sivjet është zgjeruar plani i testimit te kafshët, duke thënë se janë përfshirë rreth 20.000 gjedhe, ku 264 prej tyre kanë rezultuar pozitive me sëmundje infektive.

“Te rastet pozitive, në bazë të ligjeve, iu krijojmë kushtet dhe i çojmë në asgjësim pasi është forma e vetme e parandalimit të sëmundjes nga kafsha në kafshë dhe te njeriu. Shteti intervenon dhe na e delegon detyrën, e ne punojmë t’i eliminojmë edhe asgjësimi mbulohet nga shteti. Fermerët rimbursohen për kafshët që asgjësohen”, theksoi ai.