Arbëri

Thaçi: S’na mjaftojnë vetëm studentë të diplomuar, duhet cilësi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë në konferencën “Java e Shkencës 2018” se Kosova nuk duhet të ndihet e kënaqur vetëm me nxjerrjen e studentëve të diplomuar.

Sipas tij, duhet të ketë më shumë cilësi.

“Shoqëria ju pret që të determinoni jo vetëm të sotmen por edhe të përcaktoni qartë se ku do të jemi pas dy ose tri dekada. Besoj që pajtohemi që nuk mjafton të nxjerrim vetëm student të diplomuar, duhet të lëvizim më shpejt më mirë dhe në mënyrë më cilësore se të tjerët”, është shprehur Thaçi, transmeton RTK.

Në këtë konferencë, ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, deklaroi se “Java e Shkencës” paraqet rrjetëzim të shkencëtarëve të rinj nga Kosova dhe rajoni.

“Është shënuar rritje e vazhdueshme e pjesëmarrjes. Në vitin 2017 kishte rreth 320 autorë dhe bashkautorë nga shtatë vende të rajonit dhe Evropës. Masivizimi i tillë ka realizuar qëllimin e parë, ndërsa këtë vit dhe vitet në vijim fokusi do të përqendrohet në rritjen e cilësisë së punimeve shkencore të paraqitura dhe në ndërkombëtarizimin e kësaj ngjarje me vlerat e prezantimit“, ka thënë Bytyqi.

Bytyqi ka thënë se paraqitja dhe prezantimi i punimeve shkencore në të ardhmen do të bazohet në standardet ndërkombëtare.