Kreu i shtetit, Hashim Thaçi i ka thënë Zërit të Amerikës se ka marrë garancinë nga zëvendëspresidenti Mike Pence, se SHBA do të përfshihet në fazën e fundit të dialogut të Kosovës me Serbinë.
“Unë sapo përfundova takimin shumë të mirë, mund të them të mrekullueshëm me Zëvendëspresidentin Pence, një takim ky ku u diskutuan në veçanti dy gjëra shumë të rëndësishme për konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe afirmimin ndërkombëtar”, ka thënë Thaçi.
Thaçi ka thënë se SHBA-së i është kërkuar, siç ka thënë ai “në këto momente, kur po hyjmë në fazën finale të arritjes së marrëveshjes për normalizimin e plotë të marrëdhënieve të shtetit të Kosovës dhe Serbisë dhe të procesit të pajtimit, përfshirjen direkte të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe posaçërisht të Zëvendëspresidentit Pence”.
“Mund të konfirmoj se Zëvendëspresidenti Pence më tha qartë se SHBA do të involvohen, do të jenë të përfshira drejtpërdrejt dhe vet Zëvendëspresidenti Pence do të jetë i fokusuar dhe i përfshirë maksimalisht për arritjen e marrëveshjes përfundimtare në mes shtetit të Kosovës dhe të Serbisë. Besoj se kjo gatishmëri e administratës së SHBA-ve dhe personalisht e Zëvendëspresidentit Pence është inkurajim edhe për mua si President i Kosovës, për institucionet e vendit, për popullin e Kosovës; është besim dhe garanci për një sukses të këtij procesi, që do ta çonte Kosovën në një marrëveshje finale të normalizimit dhe pajtimit të raporteve Kosovë - Serbi dhe do t'i hapte perspektivë Kosovës për integrim në OKB dhe të thyhet kjo gjendje e ngrirë apo një status quo shumë të rrezikshme që po kalojmë në Kosovë dhe në rajon”, ka thënë Thaçi.
Ai ka thënë se Kosova do të përpiqet që të punojë për arritjen e një marrëveshje, ku do të jenë fitues edhe Kosova edhe Serbia edhe bashkësia ndërkombëtare, sa i takon Ballkanit Perëndimor.
I pyetur se nëse SHBA-ja do të jetë ashtu sikurse shohim Mogerinin, përfaqësuesen e Bashkimit Europian, në një tryezë bisedimesh mes Serbisë dhe Kosovës Thaçi ka thënë se “tani për këtë çështje nuk mund të flas, por ajo që mund të them është se SHBA do të jenë të involvuara drejtpërdrejt, do të jenë të përfshira fuqishëm përmes zyrës së Zëvendëspresidentit Pence dhe do të jetë në fokus personal dhe një përfshirje e vet Zëvendëspresidentit Pence”.
“Rolin udhëheqës do ta ketë Brukseli, pra, BE-ja përmes zonjës Mogerini, por do të jetë një proces i koordinuar dhe në bashkëpunim shumë të ngushtë, apo në rol bashkudhëheqës Bruksel – Washington. Mendoj se tani neve na mbetet të konsolidohemi edhe më fuqishëm politikisht dhe institucionalisht të përgatitemi për këtë fazë të re dhe të arrijmë një konsensus sa më të gjerë të spektrit politik, shoqërisë civile dhe të mediave edhe të qytetarëve, në mënyrë që të përmbyllim këtë fazë finale”, ka thënë Thaçi.
Thaçi thotë t’i ketë thënë edhe Zëvendëspresidentit Pence, se historia e Kosovës është një histori suksesi, por ende e papërmbyllur plotësisht. “Prandaj jemi në fazën finale, kam besim të plotë se përfshirja amerikane do t'i japë dinamikë të re këtij procesi, do t'i japë gjallëri, do të jetë një proces edhe më i disiplinuar, më i kufizuar dhe më i kornizuar në kuptimin e arritjes së marrëveshjes, por edhe në kuptimin e mekanizmave obligativë, implementues të kësaj marrëveshje të fqinjësisë së mirë, të normalizimit dhe të pajtimit. Jam i bindur se i gjithë spektri politik dhe opinioni publik qytetar, shoqëria civile, mediat të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë duan që kjo status quo të tejkalohet sa më shpejt, që kjo gjendje të tejkalohet dhe Kosova të jetë pjesë e OKB-së”, ka thënë ai.
Sipas Thaçit, marrëveshja Kosovë – Serbi për normalizim të plotë të marrëdhënieve hap një perspektivë të sigurt edhe për anëtarësimin e Kosovës sa më shpejt në NATO dhe në BE, e në të njëjtën kohë një perspektivë europiane edhe për Serbinë.
“Prandaj gjithë spektri politik, opinioni qytetar dhe përgjegjësit e institucioneve të Kosovës janë zotuar që të punojnë bashkërisht për përmbylljen e kësaj faze, në mënyrë që të lëvizim më shpejt dhe të arrijmë në një gjendje të konsolidimit të brendshëm shtetëror dhe të një konsolidimi integrues të shtetit tonë një gjithë mekanizmin ndërkombëtar, pra, një konsolidim ndërkombëtar”.
Nga Zëri i Amerikës Thaçi është pyetur edhe në sheh një qasje ndryshe nga ana e Serbisë.
“Ju kujtoj një koment më të fundit, që ka bërë presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq gjatë një interviste televizive, se Kosova nuk mund të marrë vendime të rëndësishme pa aprovimin e Serbisë dhe kujton për këtë anëtarësimin në UNESCO, apo Interpol. Si e shihni ju qasjen e Serbisë dhe çfarë mund të ndryshojë pas këtij angazhimi më të fortë amerikan”, është pyetur Thaçi.
Thaçi ka thënë se Kosova është vend i pavarur, vend sovran, vendimet i merr vet në përputhje me vullnetin e qytetarëve me përgjegjësi kushtetuese dhe ligjore.
“Serbia është vend fqinj, por duhet të jemi edhe realistë: Me Kosovën Serbia ende ka çështje të hapura, të cilat duhet të përmbyllen dhe të zgjidhen përmes dialogut dhe veç dialogut nuk ka alternativë. Por në të njëjtën kohë ajo që dua të theksoj është se në këto rrethana që jemi, në këtë fazë që po kalojmë, me këto zhvillime që po ndodhin, Kosova dhe Serbia jemi bërë pengesë për njëri-tjetrin në proceset integruese, prandaj arritja e këtij dialogu, arritja e marrëveshjes përfundimtare do të jetë një rrethanë lehtësuese për njëra-tjetrën që të integrohemi sa më shpejt për Kosovën në NATO dhe në BE edhe në OKB, e për Serbinë të lëvizë procesi integrues europian. Aktualisht jemi bërë pengesë e njëra-tjetrës. Dialogu dhe marrëveshja do të jenë një rrethanë lehtësuese për të dy vendet në përpjekjet integruese”, ka thënë Thaçi, përcjell Koha.net. “Ne jemi vend sovran dhe vendimet i marrim vet, kështu që çdo angazhim destruktiv nuk do të ngadhënjejë mbi politikën e energjisë pozitive, diplomacisë aktive të BE-së dhe tash të SHBA-ve. Unë dua të besoj se edhe njerëzit politikëbërës në Beograd do ta kuptojnë qartë se pa normalizim të plotë të marrëdhënieve me shtetin e Kosovës as Serbia nuk ka të ardhme europiane. Ne si shtet i Kosovës nuk jemi të interesuar të vazhdojmë këtë gjendje të bllokadës, të ngrirjes dhe status quo-së, por të lëvizjes përpara, të normalizimit, të fqinjësisë së mirë, të pajtimit dhe vendet tona të lëvizin drejt anëtarësimit në BE, Kosova edhe në OKB e gjithashtu edhe në NATO. Arritja e paqes mes Kosovës dhe Serbisë për mua nënkupton paqe për Ballkanin perëndimor”, ka thënë Thaçi.
Thaçi ka ripërsëritur se normalizimi i plotë i marrëdhënieve midis shtetit të Kosovës dhe Serbisë nënkupton njohjen e realiteteve të dyanshme, respektimin e integritetit territorial të të dy vendeve, një bashkëpunim n fqinjësi të mirë si në rrafshin ekonomik, politik, diplomatik, social, kulturor apo të sigurisë.
“Kjo do të nënkuptonte edhe një ngadhënjim të vlerave europiane dhe euro-atlantike në rajonin tonë. Pra, do të nënkuptonte njohje të realiteteve të dyanshme”, ka thënë Thaçi.
Thaçi është i bindur e ka thënë se është edhe konfirmim i plotë i Zëvendëspresidentit Pence se investimet amerikane do të vazhdojnë të vijnë në Kosovë.
“Ne jemi tani në prag të ardhjes së investitorëve për ndërtimin e termocentralit Kosova C, që do të jetë një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm. Mendoj që ky investim do të ketë rezultatet e veta inkurajuese edhe për ardhjen e investitorëve të tjerë. Në Kosovë po krijohet një klimë e përshtatshme dhe kreative për investitorët amerikanë dhe të vendeve të tjera. Partneriteti me SHBA është strategjik për ne dhe i përjetshëm, qoftë në rrafshin politik, diplomatik, ekonomik dhe ushtarak”, ka thënë Thaçi.