Kryetari i Këshillit Shtetëror të Maturës, Jusuf Thaçi, në Express Intervistë, ka thënë se nëse do të vendosej që sivjet të mos mbahej Testi i Maturës, problemet që do të lindnin si pasojë, do të ishin shumë të mëdha.
Ai ka dhënë detaje për vendimin që Testi i Maturës sivjet të mbahet në muajin korrik. Ka shpjeguar se për dallim nga vitet e shkuara, ky test sivjet do të ketë 100 pyetje e jo 200 dhe do të mbahet në një ditë, e jo dy.
“Në parim, komisioni Shtetëror i Maturës ka diskutuar për të gjitha shqetësimet, kemi zhvilluar konsulta edhe me IKSHPK-në, kemi pas parasysh edhe detyrimet ligjore, sepse çështja e Maturës s’mund të anulohet lehtë me vendim, sepse është çështje e paraparë me ligj. Kemi pas parasysh edhe implikimet që mund të ketë humbja e diplomave në rast të anulimit. Duke u bazuar në të gjitha këto, normalisht me rekomandimet e IKSHPK-së, kemi vendosur që Matura Shtetërore 2020 të mbahet në javën e parë të korrikut. Në ditët në vijim, do të konsultohemi edhe për përcaktimin e ditës së testit”, ka thënë ai. “Ka probleme nëse s’mbahet teste edhe për regjistrim në institucionet e larta por edhe në nivel ndërkombëtar për njohje diplomash, pasi Kosova është ndër vendet që Maturën e ka detyrim ligjor e parakusht për shkollim të lartë. S’ka alternativë tjetër veçse të vendosësh për të mbajtur testin, pavarësisht se kemi pasur shqetësimet e maturantëve dhe prindërve”.
Thaçi ka bërë të ditur se në test do të përfshihen tri lëndë obligative e një zgjedhore. Testi do të zgjasë dy orë e gjysmë, e secila lëndë do të ketë nga 25 pyetje.
Ai ka thënë se nxënësit dhe prindërit s’duhet të shqetësohen se në dy muajt e fundit kanë mbajtur mësimin online për shkak të pandemisë dhe se kjo mund t’u kushtojë në test.
“Si parim, Testi i Maturës s’është i koncentruar në klasën e fundit të shkollës së mesme, por përfshin gamë të gjerë të dijes, aftësive e shkathtësive. Është test i maturisë, i pjekurisë. U kemi dhënë udhëzime hartuesve të kërkesave që të mos përfshijnë kërkesa nga përmbajtjet mësimore të zhvilluara në dy muajt e fundit pas ndërprerjes së rregullt të shkollimit. Testi i Maturës s’lidhet domosdo me njohuritë e marra në muajt e fundit”, ka thënë tutje ai.
Thaçi ka bërë të ditur se është duke u punuar në planin për mënyrën e mbajtjes së testit nëpër klasa e në qendra të testimit.
Sipas tij, testi online kurrë s’ka qenë opsion në tavolinë për shkak se “Kosova s’i ka kushtet për të ofruar diçka të tillë”.
Thaçi ka thënë se do të kërkojnë nga institucionet e arsimit të lartë që të shtyjnë provimet pranuese deri në shpalljen e rezultateve finale të maturës. Ai ka thënë se s’duhet të ketë zbutje të kritereve sepse pandemia “s’mund të reflektojë aq shumë në nivel të dijes”.
Mbrëmjet e maturës ai ka thënë se përfundimisht s’do të mbahen.