Arbëri

Thaçi në Berlin: Fati dhe historia jonë janë brenda familjes evropiane

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në ditën e parë të vizitës zyrtare në Berlin, ka mbajtur një ligjëratë në Këshillin Gjerman për Marrëdhënie Ndërkombëtare.

Para shumë përfaqësuesve shtetëror në Gjermani, para shumë diplomatëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe mediave, Thaçi ka thënë se Gjermania është dëshmuar si një mike dhe përkrahëse e madhe e Republikës së Kosovës, njofton kumtesa presidenciale.

Ai ka theksuar se populli i Kosovës dikur ka gjetur strehë në këtë vend në kohët më të vështira, derisa shumë prej tyre janë kthyer në vendlindje, të tjerët janë integruar në shoqërinë gjermane.

“Gjermania ka mbështetur Kosovën dhe kosovarët në periudhat më të errëta, duke marrë pjesë e intervenimit të NATO-s. Gjermania është gjithashtu një nga donatorët dhe investitorët më të mëdhenj në Kosovë dhe po e ndihmon Kosovën në shumë sektorë, nga sundimi i së drejtës në investimet në energji”, ka shtuar ai.

Sipas tij, roli i Gjermanisë në mbështetjen e Kosovën në arenën ndërkombëtare ka qenë dhe mbetet thelbësor, derisa sot Berlini është bërë edhe simboli më i fortë i ideve dhe vlerave demokratike evropiane.

Thaçi, duke folur për perspektivën evropiane të Kosovës ka theksuar se nesër, 9 maji , Dita e Evropës, është festë publike në Kosovë.

Kosova sipas tij, është e përkushtuar ndaj perspektivës euro-atlantike, ku mbi 90% e kosovarëve mbështesin anëtarësimin në BE dhe NATO.

“Ne duam të jemi anëtarë të Bashkimit Evropian dhe duam të jemi anëtarë të NATO-s. Ne duam që kjo të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur. Kemi të njëjtat shpresa dhe dëshira për të gjithë fqinjët tanë në Ballkanin Perëndimor. Fati ynë dhe historia jonë janë brenda familjes evropiane”, ka paralajmëruar ai.

Nga ana tjetër, ambasadori Wolfgang Ischinger, ka thënë se BE-së, i duhet një lidership më të madh.

“Unë pajtohem me ju President dhe me mesazhin që do t’ia përcillni nesër kancelares Merkel. Është i nevojshëm një lidership nga BE-ja, e sidomos nga Berlini. Pa këtë, gjërat nuk do të ndodhin”, ka shtuar ai.

Thaçi dhe Ischinger kanë thënë se BE-ja nuk duhet të vonoj me liberalizimin e vizave dhe ajo duhet të ndodh këtë vit.