Arbëri

Thaçi për pesë vjet ndau mesatarisht nga një dekoratë në ditë

Fiks 1 mijë e 561 dekorata ka ndarë tashmë ish-presidenti, Hashim Thaçi, që nga qershori i 2016-s e deri një ditë para se të japë dorëheqje, në nëntor të vitit të kaluar. Gjatë dy vjetëve të fundit, sa ishte në krye të shtetit, Thaçi ndau 904 dekorata, në vlerë prej mbi 131 mijë e 670 eurosh. Një ditë para se të largohej nga Zyra e Presidentit, pas konfirmimit të aktakuzës nga Specialja, ai ndau medalje, tituj e çmime për 28 personalitete

Nga një dekoratë në ditë, del mesatarisht bilanci i ndarjes së dekoratave nga ish-presidenti Hashim Thaçi, për rreth pesë vjet sa ishte në detyrë.

Prej qershorit të 2016-s e deri në nëntor të 2020-s, që i bie 1 mijë e 590 ditë, ish-presidenti Hashim Thaçi, ka ndarë 1 mijë e 561 dekorata.

Gjatë pjesës së parë të mandatit 2016-2018, Thaçi ka ndarë 657 dekorata, ku përfshihen medalje, tituj, urdhra e mirënjohje. Nga janari i 2019-s e deri një ditë para se të largohet nga detyra e kreut të shtetit, ish-presidenti Hashim Thaçi ka ndarë 904 sosh.

Sipas të dhënave të siguruara nëpërmjet qasjes në dokumente publike, 502 dekorata janë ndarë gjatë 2019-s, derisa 402 vetëm vitin e kaluar.

Shuma e paguar për dekoratat e ndara gjatë dy vjetëve të fundit, është 131 mijë e 678 euro.

Që nga janari i 2019-s e deri një ditë para se të japë dorëheqje, Thaçi më së shumti apo 599 sosh, ka dekoruar personalitete me urdhrin “Hero i Kosovës”, pasuar nga “Urdhri i Lirisë” me 77 copë e “Urdhrin e Pavarësisë” me 67.

Nga buxheti i shtetit për një dekoratë të ndarë, gjatë 2019-s është paguar 155 euro, derisa 134 euro gjatë 2020-s, apo në total 77 mijë e 810 euro gjatë 2019-s e 53 mijë e 868 gjatë vitit 2020.

Në mesin e personaliteteve të dekoruar janë edhe ish-presidenti Donald Trump, emisari i SHBA-së për dialogun, Richard Grenell, gjenerali Wesley Clark, ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, e deri te këngëtarë, kreatorë të modës, emisione televizive, organizata joqeveritare e spitale.

Ish-presidenti Hashim Thaçi dha dorëheqje më 5 nëntor të 2020-s pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale. Por, vetëm një ditë më parë, më 4 nëntor, ai ndau 28 dekorata.

Pak më shumë sesa që ndau Thaçi për një ditë, presidentja Vjosa Osmani ndau që nga nëntori kur mori detyrën e deri në maj të këtij viti. Prej 28 nëntorit, kur edhe ndau dekoratën e parë e deri më 20 maj të 2021-s, Osmani ndau 32 dekorata.

Në mesin e të dekoruarve janë dhe Rifat Jashari, Njësiti i Kërkim-Shpëtimit të FSK-së, Shpresa Loshaj e Vasfije Krasniqi.

Për 32 dekoratat e ndara nga Osmani, janë paguar 4 mijë e 288 euro.

Sipas të dhënave të publikuara nga Presidenca, e ku përfshihet numri i dekoratave të ndara edhe nga presidentët e tjerë, Hashim Thaçi i prin listës së presidentëve për nga ndarja e dekoratave.

Pas Thaçit, renditet ish-presidentja Atifete Jahjaga, e cila prej shtatorit të 2011-s e deri në prill të vitit 2016, ka ndarë 550 dekorata, pasuar nga ish-presidenti Ibrahim Rugova, i cili prej vitit 2002 deri më 2006 ndau 225 të tilla. Ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, e ish-presidenti Behgjet Pacolli, renditen në fund të listës për nga numri i dekoratave të shpërndara. Krasniqi me 32 e Pacolli me një të tillë, aq sa ishte në detyrë.