Presidentët e gjashtë vendeve të rajonit u mblodhën në Tiranë për të vijuar traditën e samiteve të Brdo-Brijunit një iniciativë e nisur që në vitin 2013 nga presidentët e Kroacisë dhe Sllovenisë.
Samiti përkon me Ditën e Evropës për të cilën liderët e Ballkanit Perëndimor u angazhuan për t’i afruar vendet e tyre me Bashkimin Evropian.
Pak përpara nisjes të këtij samiti, presidenti Thaçi ka patur një shtrëngim duarsh të ftohtë me homologun Vuçiq. Nga pamjet e siguruara prej samitit, duket qartë ftohtësia me të cilën hynë në këtë samit Thaçi e Vuçiqi duke paralajmëruar se rifillimi i dialogut Prishtinë-Beograd është i largët, shkruan tch.
Ky shtrëngim duarsh i sforcuar vjen një ditë pasi Vuçiqi deklaroi se “më mirë më vrisni, Kosovën nuk e njoh”.
Ndërkaq, në disa video-pamje shihet se gjatë kohës së shtrëngimit të duarve mes dy presidentëve, Vuçiqi ishte i shoqëruar nga kryesuesi i Presidencës së Bosnjës, Millorad Dodik, e të cilin duket se delegacioni i Kosovës, gjegjësisht Thaçi, e injoron dhe nuk e përshëndet fare. Kurse këshilltari i tij, Bekim Çollaku, duket se e përshëndet vetëm me lëvizje koke.