Arbëri

Thaçi: Deputetët joaktivë, për katër muaj i miratuan vetëm dy projektligje

Arbër Thaçi

Hulumtuesi i Institutit Demokratik të Kosovës, Arbër Thaçi, ka deklaruar se në sesion deputetët nuk kanë qenë shumë aktivë me punën në Kuvend, duke përmendur faktin se në periudhën janar-prill janë miratuar vetëm dy projektligje.

Sipas Thaçit, kjo tregon për një lloj mungese të shumicës aktive “që shtyn përpara procesin legjislativ”.

“Gjatë periudhës së dytë kemi parë një lloj bllokimi...Një lloj pakënaqësie diku i një grupi të deputetëve që shumicën e solli te limiti i ekzistimit. Kuvendi prej janarit deri në prill i ka miratuar vetëm dy projektligje, çka është shumë pak, që flet për një lloj mungese të një lloj shumice aktive që shtyn përpara procesin. Kuvendi është aktivizuar pas marrëveshjes mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe PDK-së, ku u votuan 15 projektligje që ishin marrëveshje ndërkombëtare”, ka deklaruar Thaçi të hënën në “60 Minuta” të KTV-së.

Ai ka potencuar se Kuvendi u shqua edhe për një lloj shumice të konsoliduar përgjatë periudhës së dytë të legjislaturës. Sipas Thaçit, dinamika e punës në Kuvend ka rënë edhe pas periudhës kur shumica i ka humbur disa deputetë.

“Për 11 javë, Kuvendi s’e ka mbajtur asnjë mbledhje, çka paraqet qasje pasive të deputetëve. Ka një numër projektligjesh që prekin fusha të ndryshme që duhet të trajtoheshin. Po e përmendi Kodin Civil që s’po votohet tash e dy vjet, e që nxiti një lloj dialogu përtej grupit parlamentar që të krijojë shumicën për të votuar këtë dokument, që i rrezikon të drejtat civile”, është shprehur Thaçi.

Sipas Thaçit, qasjen e opozitës ndaj partisë në pushtet e ka përcaktuar edhe numri i vogël i deputetëve opozitarë. Ai ka shtuar se deputetëve opozitare s’i kanë shfrytëzuar disa prej mekanizmave për ta sfiduar pushtetin, duke potencuar pyetjet parlamentare dhe “një lloj qasje joadekuate për mungesën e debatit mbi marrëveshjet ndërkombëtare”.