Prindërit e Agon Musliut, i cili bëri vetëvrasje në Qendrën e Studentëve në Prishtinë sa ishte në karantinë, kanë paralajmëruar padi ndaj qeverisë Kurti. Këtë të diel janë bërë 8 muaj nga vdekja e tij dhe prindërit e Agon Musliut vendosën kurorë me lule te konviktet.
Naim Musliu, babai i Agonit, thotë se nuk do të ndalet së kërkuari drejtësi, qoftë edhe jashtë vendit.
“Jemi në ditën kur djali ynë po mbush tetë muaj qëkur u nda nga jeta në këtë vend tragjik. Ne po e përjetojmë me pikëllim edhe më të madh këtë muaj për padrejtësinë që po i bëhet djalit tonë. Në fillim kam thënë se padrejtësia bie pikërisht mbi qeverinë Kurti, Xhelal Sveçlën (ish-ushtrues detyre i ministrit të Punëve të Brendshme) dhe Arben Vitinë (ish-ministër i Shëndetësisë). Unë për këtë do të kërkoj drejtësi dhe nuk do të ndalem kurrë. Do të bëj edhe një padi se padrejtësisht dhe në mënyrë të kundërligjshme dhe kundërkushtetuese ka qenë vendosja dhe karantinimi ku ndërroi jetë djali im”, ka thënë Musliu.
Ai po kritikon edhe deputetët e Vetëvendosjes që janë pjesë e Komisionit hetimor për menaxhimin e pandemisë COVID-19, të cilët, sipas tij, votuan kundër shkuarjes së tij në këtë komision.
“Kisha me shtu lidhur edhe padrejtësinë që po i bëhet djalit tim në komisionin hetimor nëse duan mediat me kuptu mirë, munden me vërtetu edhe votimi kur u bë se a kanë votuar deputetët e Vetëvendosjes për shkuarjen time në Komisionin hetimor të parlamentit. Të gjitha deputetët e Vetëvendosjes kanë votuar kundër, çka i kam penguar unë, çka i ka shtyrë ata, ata vetë e dinë. Çka dojnë me hesht, çka duan të mbrojnë, ata vetë e dinë. Por, unë do të veproj, do të punoj dhe nuk do të ndalem asnjëherë për djalin tim. Do të bëj padi njëherë përnjëherë që po mendoj që Kurti dhe qeveria e tij bënë padrejtësi. Padrejtësi e madhe se në mënyrë kundërligjore dhe kundërkushtetuese e bënë këtë karantinim ku humbi jetën edhe djali im”, tha ai.
Përderisa që nga ajo kohë në Kosovë nga COVID-19 kanë vdekur 1.344 persona.
Vetëm këtë të diel betejën me virusin e kanë humbur edhe 4 persona të tjerë.
Gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar edhe 234 raste të reja me koronavirus duke e çuar kështu numrin e të infektuarve në 51.965, përderisa numri i rasteve aktive është 7.986.
E me uljen e numrit të të infektuarve ka rënë edhe numri i komunave që ishin në zonë të kuqe. Prishtina, Fushë-Kosova, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potok dhe Leposaviqi janë komunat në zonën e kuqe.
Edhe në të verdhën janë gjashtë komuna: Mitrovica e Jugut, Graçanica, Obiliqi, Podujeva, Juniku dhe Gjilani. Ndërsa, në zonën e gjelbër janë 26 komunat e tjera.
Në zonën e kuqe futen komunat me mbi 150 raste në javë për 100 mijë banorë. Për këto komuna vlen masa e kufizimit të lëvizjes pas orës 20:00.
Ndërkohë, në zonën e verdhë futen komunat me 76 deri në 150 raste në javë për 100 mijë banorë. Dhe në zonën e gjelbër futen komunat me 75 raste maksimumi në javë për 100 mijë banorë.