Arbëri

Tetë familje bllokohen nga vendosja e një laure në rrugën ku banojnë zyrtarë të lartë publikë

Dy njerëz që thirren në drejtësi dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, kryeprokurori Aleksandër Lumezi dhe kryetar i KMLDNj-së, Behxhet Shala, kanë bllokuar shtatë familje duke ua mohuar lëvizjen e lirë.

Kjo për shkak se ata dhe disa familje të tjera që jetojnë në rrugën “Xhevat Qenaj” në lagjen “Veternik” të kryeqytetit, pa leje kanë vendosur tash e dhjetë ditë një laurë për ta penguar qarkullimin e banorëve të tjerë që nuk janë pjesë e kësaj lagjeje.

Këtë pengesë, ata e kanë vendosur me arsyetimin se rruga është pronë private.

Banorët janë detyruar të gjejnë një rrugë alternative për të qarkulluar, e që është me plotë baltë.

Fajin më të madh, banorët ia lënë kryetarit të Këshillit për të Drejtat e Njeriut, Behxhet Shala, i cili banon aty dhe në vazhdimësi u ka krijuar telashe në forma të ndryshme për t’ua pamundësuar atyre lëvizjen.

Krejt këto i ka mohuar Shala, i cili, përmes telefonit ka thënë se lagjja ku ai, kryeprokurori Aleksandër Lumezi , deputeti Zenun Pajaziti e të tjerë banojnë, është pronë private.

Sipas Shalës, pasi rruga është pronë private, mund të veprojnë si të duan.

Pronari që ka shitur tokën në këtë lagje, Dan Ymeri, ka arsyetuar veprimin duke thënë se banorët kanë blerë pronën dhe mund të bëjnë çfarë të duan me të.

Në Drejtorinë e Inspeksionit të Komunës së Prishtinës, kanë thënë se kjo laurë fillimisht është vendosur aty e tek pastaj pronarët e shtëpive kanë bërë kërkesë për leje.

Nëse Drejtoria e Shërbimeve Publike nuk jep leje, ajo e Inspeksionit ka paralajmëruar rrënim të laurës.

Banorët e rrugës “Xhevat Qenaj” , kërkojnë nga komuna që, përveç rrugës, t’u krijohen edhe kushtet infrastrukturore të cilat iu mungojnë.