Arbëri

Tetaj thotë se u intervistua nga Faton Mehmetaj vetëm pse e adhuronte Rugovën

“I vetmi njeri asokohe që kishte një uniformë ushtarake dhe ishte i armatosur komplet dhe lëvizte i lirë edhe në Deçan, edhe në të gjitha zonat (v.j. ishte Faton Mehmetaj). E ne nuk e kishim parë asnjëherë uniformën, e aty te ai e kam parë uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ka qenë fillimi, ka qenë herët (v.j. kur nisi lufta)”, është shprehur Tetaj në përmbyllje të dëshmisë në rastin e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit e Rexhep Selimit para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë

Dëshmitari Rrustem Tetaj e ka përmbyllur të mërkurën dëshminë e tij në rastin më të madh në Dhomat e Specializuara në Hagë. Edhe në ditën e dytë, pyetjet për të ishin lidhur me strukturën dhe funksionimin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. 

Guénaël Mettraux, anëtar i trupit gjykues, e ka pyetur dëshmitarin lidhur me një pjesë të intervistës në të cilën Tetaj kishte deklaruar se ishte intervistuar nga Faton Mehmetaj, që sipas dokumenteve të pranuara për shqyrtim ka qenë pjesëtar i Shtabit të Përgjithshëm.

Dëshmitari është përgjigjur se bashkë me Mehmetajn ka qenë edhe Pjetër Shala, i cili aktualisht është duke u gjykuar për krime lufte në Fabrikën e Metaleve në Kukës të Shqipërisë. 

“I vetmi njeri asokohe që kishte një uniformë ushtarake dhe ishte i armatosur komplet dhe lëvizte i lirë edhe në Deçan, edhe në të gjitha zonat (v.j. ishte Faton Mehmetaj). E ne nuk e kishim parë asnjëherë uniformën, e aty te ai e kam parë që ishte uniforma e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ka qenë fillimi, ka qenë herët (v.j. kur nisi lufta)”, është shprehur Tetaj. 

Ai ka thënë se Mehmetajn e kishte takuar edhe në vitin 1996, teksa kishte shtuar se te ai e kishte vërejtur njëfarë tendence kundër Ibrahim Rugovës, për të cilin dëshmitari është shprehur se ka respekt të madh. 

“Çdo pyetje që ma bënte për presidentin Rugova, që e kisha idol, që e kisha president, që isha ushtar me plot kuptimin e fjalës të institucioneve të Kosovës, ai me qëllime të caktuara më ka ardhur në shtëpi, dhe fillimi dhe drejtimin që nuk ka mundur të ma lakojë nga rruga e drejtë e Ibrahim Rugovës, atëherë në fillim të luftës që mori uniformën, u bë dikushi, erdhi e më mori në bisedë informative, në cilësi të kujt e si nuk e di”, ka thënë dëshmitari. 

Tetaj ka insistuar në atë që e ka thënë edhe më herët, se në fillim të luftës as që kishte dëgjuar për Shtabin e Përgjithshëm dhe se nuk e beson që Ramush Haradinaj do t’ia kishte fshehur informatën lidhur me ekzistimin e kësaj trupe. Tetaj ka folur edhe për një takim, në të cilin të pranishëm kanë Hashim Thaçi dhe Tahir Zemaj. Në një moment gjatë këtij takimi, Tetaj ka theksuar që Thaçi i kishte thënë Zemajt se “shumë shpejt do ta kryej me ty”. Dëshmitari ka theksuar se kjo ka qenë momentale dhe se ka kaluar.

Tetaj e ka konfirmuar deklaratën se Mehmetaj ia ka përmendur një listë të kundërshtarëve të UÇK-së, në të cilën ka bërë pjesë edhe një gazetar dhe aktivist i LDK-së, emri i të cilit nuk është përmendur. 

Dëshmitari është pyetur edhe për vrasjen e Sanije Gashit, grua nga Strellci i Poshtëm i Deçanit, për të cilin rast gjyqësori i Kosovës e ka dënuar ish-pjesëtarin e UÇK-së, Idriz Gashi, me 14 vjet burgim. Me këtë dënim, gjyqësori e ka finalizuar aktgjykimin dënues me vendimin e Supremes, më 2010. 

E dëshmitari Tetaj ka thënë të mërkurën se nuk e mban mend ta ketë takuar ndonjëherë Idriz Gashin. Ai ka thënë se ka dëgjuar për rrëmbim dhe për ndalime në Jabllanicë, mirëpo nuk i ka parë e as nuk e di se prej kujt saktësisht ka dëgjuar lidhur me këto raste. 

Në aktakuzë janë numëruar një viktimë e zhdukjes, tri viktima të vrasjes dhe 13 viktima të ndalimit në këtë lokacion. Dëshmitari Tetaj është shprehur se Kadri Veselin e Jakup Krasniqin, të akuzuar bashkë me Hashim Thaçin dhe Rexhep Selimin, në rastin më të madh të Speciales, nuk i ka parë asnjëherë gjatë luftës. 

Në këtë rast, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Veseli e Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes Selimi, akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në bazë të aktakuzës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), të publikuar në shkurt të vitit 2023, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, si dhe tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës së viteve 1998-1999.

ZPS-ja pretendon se ata kanë kryer ndërmarrje të përbashkët kriminale që ndërlidhet me gjashtë akuza për krime lufte “Përndjekje” (Pika 1), “Burgosje” (Pika 2), “Akte të tjera çnjerëzore” (Pika 4), “Torturë” (Pika 6), “Vrasje e paligjshme” (Pika 8), “Zhdukje me dhunë” (Pika 10), si dhe katër akuza për krime kundër njerëzimit, përfshirë këtu “Arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar” (Pika 3), “Trajtim mizor” (Pika 5), “Torturë” (Pika 7) dhe “Vrasje e paligjshme” (Pika 9). Shumica e viktimave të krimeve, sipas ZPS-së, janë shqiptarë, civilë dhe pjesëtarë të Lidhjes Demokratike (LDK). Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre. Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të tillë, meqë peshën e kishin komandantët e zonave dhe se kishte për qëllim ta luftonte Serbinë e jo civilët.