15 prilli është afati zyrtar për ndërprerjen e ngrohjes në kryeqytet nga “Termokosi”.
Megjithëse këtë vit pranvera ka qenë më e hershme, duke shkuar temperaturat deri në 30 gradë celsius, “Termokosi” ka vazhduar me ngrohje duke e zgjatur afatin e ngrohjes deri më 30 prill.
Për këtë janë ankuar edhe qytetarët, të cilët thonë se është bërë e papërballueshme nxehtësia.
Banorja e lagjes “Kodra e Diellit”, Sebahate Geci, në një postim në një faqe në Facebook, është ankuar për nxehtësi të papërballueshme.
“Edhe unë ju kam shkruar me e-mail në ‘Termokos’, në adresën ‘Kontakti me konsumatorë’ qysh para tri ditësh, por pa përgjigje. Tutje po nxen, po mjaftojnë vertikalet që nuk mundemi me i ndërpre dhe me na çmend prej nxehtësisë”, ka shkruar Geci në një postim të bërë në faqen “Prishtina Network”.
Por, sipas “Termokosit”, problem më të madh kanë banorët që kanë nënstacionet me sisteme të vjetra e të cilët nuk mund ta ndalin ngrohjen.
Zëdhënësja e kësaj ndërmarrjeje, Afërdita Uka, thotë se nuk mund të bëhet ndalja e menjëhershme e furnizimit me ngrohje pasi ky proces merr kohë më të gjatë. Ajo po ashtu shton se kanë qenë brenda afatit kohor.
Gjithashtu, ajo shton se vendimi për ndaljen e ngrohtores bëhet duke u bazuar në temperaturat e natës.
Por, nga KEK-u thonë se nuk është proces i komplikuar. Mjafton të bëhet mbyllja e valvuleve dhe KEK-u më nuk e bën furnizimin me ngrohje.
“’Termokosi’ ka bërë kërkesë për zgjatjen e afatit kohor për ngrohje prej 16 prillit deri më 30 prill dhe kjo gjë është miratuar nga ne. Sa i përket ndaljes së procesit me dërgimin e avullit, nuk është proces i komplikuar. Mjafton të bëhet mbyllja e valvuleve dhe nga KEK-u nuk bëhet më furnizimi me avull”, tha Skënder Bucolli, zëdhënës i KEK-ut.
Praktika për zgjatjen e ngrohjes deri në fund të prillit ka ndodhur edhe viteve të kaluara nga “Termokosi”.
Mirëpo, temperaturat e këtij prilli nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës janë të ngjashme me ato të qershorit, gjë që nuk kanë ndodhur viteve të fundit.