Arbëri

Termokosi do t’i kthehet mazutit nëse s’rregullohet furnizimi nga KEK-u

Ndërmarrja publike Termokos ka njoftuar se do t’i kthehet sistemit të vjetër të funksionimit me mazut për ngrohje, në rast se nuk rregullohet çështje e furnizimit me avull nga KEK-u.

Të mërkurën Termokosi ndërpreu ngrohjen duke u ankuar në pamundësi të furnizimit me avull nga KEK-u. KEK-u ka thënë se problemi ka qëndruar në njërën njësi të termocentralit Kosova B. Sipas KEK-ut, çështja pritet të rregullohet deri të enjten.

Nga Termokosi i kanë thënë KOHËS se do t’i kthehen furnizimit të vjetër, atij me mazut, vetëm nëse nuk rregullohet deri nesër furnizimi nga KEK-u. Se përse s’është lëshuar sot sistemi me mazut, nga kjo ndërmarrje kanë thënë se kalimi në mazut do të merrte kohë aq sa zgjat rregullimi i furnizimit nga KEK-u.

Nga Termokosi kanë thënë se kanë mjaftueshëm mazut për ngrohje.

Sistemi i furnizimit të Termokosit ka ndërruar viteve të fundit. Me projektin e kogjenerimit është synuar përmirësimi i sistemit të ngrohjes qendrore. Në këtë rast përdoret uji i ngrohtë që vjen nga termocentrali “Kosova B”. Janë investuar miliona euro në këtë projekt.