Është tërhequr kandidati i vetëm serb për zgjedhjet në Mitrovicën e Veriut, ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Elezi ka thënë për Kohën se vendimin për tërheqje, Aleksandar Arsenijeviq e ka dorëzuar më 2 dhjetor, e që siç tha ai, është brenda afatit ligjor të vendosur nga KQZ-ja.
“Mund t’ua konfirmoj se më 2 dhjetor 2022, brenda afatit ligjor të vendosur nga KQZ-ja për tërheqjen e subjekteve politike, kemi pranuar njoftimin për tërheqjen e kandidatit të Iniciativës Qytetare ‘Srpski Opstanak’, Aleksandar Arsenijeviq, nga gara për kryetar komune në Mitrovicën e Veriut. Në arsyetimin me shkrim që kemi pranuar, ai ka tërhequr kandidaturën e tij me vullnet të lirë”, tha Elezi.
Zgjedhjet në komunat e veriut do të mbahen më 18 dhjetor.
Përfaqësuesit e serbëve në Kosovë kanë marrë vendim që të braktisen institucionet e Kosovës nga përfaqësuesit serbë të tyre.
Ky vendim është marrë pas suspendimit të Drejtorit të Policisë rajonale në veri, Nenad Gjuriq.